Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkoi që të marrë fund, “kompromisi i heshtur”, siç e quajti ai, mes faktorëve politikë në vend për të zhvendosur vëmendjen larg probleme reale që prekin xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Gjatë emisionit “Intervistë me Merita Haklaj”, Meta u pyet për rritjen e çmimit të energjisë dhe të naftës, ku kreu i shtetit nuk i ka kursyer për asnjë moment kritikat si për qeverinë, por edhe opozitën. Duke i fajësuar indirekt për rritjen e produkteve të shportës.
“Kam mbështetur mesazhin e konfindustrias, që ishte një apel shumë i fortë i një pjese të pavarur të shoqërisë civile, por në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por edhe më parë, kam ngritur shqetësime serioze sa i përket dobësimit të ekonomisë tonë, e cila nuk mund të mbulohet nga retorika vetlavdëruese e qeverisë. Në këtë drejtim, unë kam kërkuar që parlamenti të rrisë rolin e tij, jo vetëm monitorues, por edhe kontrollues, në mënyrë që kjo situatë spekulative në treg të marrë fund. Kompromisi i heshtur mes aktorëve politikë për një kohë të gjatë për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale të marrë fund kjo lloj heshtje dhe secili të bëjë detyrën e tij për të rritur transparencën,”- tha Meta.
Së fundmi, në vendin tonë ka pasur një rritje të çmimit të naftës, që po kap thuajse 200 lekë të reja, ndërsa sipas ekspertëve rritja e çmimeve të produkteve të shportës, kushton 5000 lekë më shumë për familjet shqiptare. Shifra këto që nuk kanë asnjë rimbursim nga shteti.