Rrugët e Lezhës “pa zot”! Të shembura e me gropa

0

Nga Gjergji Figuri

Mijëra banorë të 7 fshatrave të Zadrimës së Lezhës lëvizin në drejtim të Vaut të Dejës në këtë rrugë të rrezikshme.  Pjesë të saj po shemben. Në Rraboshtë ka më shumë se 1 vit që rruga është dëmtuar, për mirëmbajtjen apo riparimin e saj nuk ka kush të kujdeset pasi nuk është kontraktuar asnjë kompani.

Një shkrim KUJDES me një shigjete në mbrojtëset anësore është i vetmi paralajmërim për drejtuesit e automjeteve, por gjatë natës nuk mund të lexohet.

Megjithëse ka kaluar një vit nga shembja e këtij segmenti rrugor ndërhyrja e vetme është vendosja e këtyre gomave nga banorët.

Probleme ka edhe ne Kallmet. Këto gurë në rrugë sinjalizojnë për shembjen e njërës korsi, nëse nuk je banor i zonës rrezikon jetën.

Shirat e fundit shembën një pjesë të rrugës në Kallmet. Masa e vetme e marrë është vendosja e këtij hekuri dhe këtij kartoni të bardhë për të paralajmëruar se lëvizja mund të jetë e rrezikshme.

Edhe kjo rrugë ka mbetur pa zot. Nuk është kontraktuar asnjë kompani për ta mirëmbajtur.

Rruga po shembet edhe në Fishtë, por si në akset e tjera e këtu nuk është ndërhyrë.

Është e dukshme e dukshme rrëshqitja e saj, mirëmbajtje s’ka as në këtë rrugë. Mungojnë punonjësit që kujdesën për rrugën.

Gurët, gropat, vegjetacioni apo edhe balta vështirëson udhëtimin tonë drejt fshatit Torovicë me 5 mijë banorë. Rreziku për tu aksidentuar na shoqëroi përgjatë gjithë aksit, kjo edhe për faktin se rruga është e ngushtë.

Për shkak të ujërave nëntokësore  një vit më parë folëm për këtë dëmtim të rrugës së Torovicës e cila është ndërtuar së fundmi. Po asgjë nuk ka ndryshuar.

Kompania Alb Tiefbau nuk e mirëmban rrugën. Në Pllanë pamjet tregojnë qartë se rruga është plot gropa dhe dhera të pa pastruara që kanë rrëshqitur nga kodra gjatë shirave.

“Ekskluziv” dhe “Salillari” janë kompanitë që duhet të mirëmbajnë rrugën e Pllanës.

Mirëmbajtja e rrugëve të Lezhës I kushton buxhetit të shtetit miliona lekë por në terren nuk shihet asnjë punëtor apo mjete të subjekteve që kanë marrë për përsipër mirëmbajtje. Prezenca e gurëve, gropat e hapur, shembjet janë fakt që këto rrugë nuk mirëmbahen.

Autoriteti rrugor shqiptar pas këtij vëzhgimi i vuri në dispozicion abc listën e subjekteve që kanë për detyrë mirëmbajtjen e akseve. Kontratat përfundojnë në janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm e kjo mund të jetë një prej arsyeve që kompanitë neglizhojnë dhe nuk kanë mirëmbajtur rrugët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu