‘Rusia gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim’/ Reuters: Putin kërkon tre kushte për ti dhënë fund luftës në Ukrainë

0

RUSI- Presidenti rus Vladimir Putin duket i gatshëm të bëjë paqe me Ukrainën, por vetëm nën kushte të rrepta, duke përfshirë neutralitetin e Kievit, një angazhim me shkrim për të mos zgjeruar më tej NATO-n në lindje dhe heqjen graduale të një pjese të konsiderueshme të sanksioneve.

Sipas njoftimeve, Putini po këmbëngul në angazhime të qarta nga fuqitë e mëdha perëndimore, duke kërkuar që mundësia e anëtarësimit në NATO për Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe republikat e tjera ish-sovjetike të përjashtohet me shkrim.

Reuters shkruan se Moska kërkon:

1. Neutralitetin e Ukrainës.

2. Heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

3. Zgjidhjen e çështjes së aseteve të ngrira ruse në Perëndim;

Donald Trump ka shprehur qëllimin e tij për t’i dhënë fund luftës, por kohët e fundit thuhet se është bezdisur nga refuzimi i Putinit për tu angazhuar drejtpërdrejt në bisedime. Të martën, ai paralajmëroi se presidenti rus po luan me zjarrin, ndërsa Moska intensifikon sulmet e saj në Ukrainën lindore.

Të dy udhëheqësit patën së fundmi një bisedë telefonike që zgjati më shumë se dy orë. Putin tha se kishte rënë dakord të punonte për një memorandum me Ukrainën që do të përcaktonte kornizën për një marrëveshje paqeje dhe një afat kohor për një armëpushim.

Megjithatë, sipas burimeve ruse, Moska ende po punon për versionin e saj dhe nuk ka një afat kohor për përfundimin e tij. Ukraina dhe qeveritë evropiane akuzojnë Moskën për vonesë të qëllimshme, duke fituar terren në frontin e konfliktit.

Një zyrtar rus theksoi: “Putini është gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim. Nëse ai nuk mund t’i imponojë kushtet e tij, ai do të tregojë me fitore ushtarake se paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme.”

Kremlini nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment. Burimet ukrainase gjithashtu nuk komentuan, ndërsa NATO mbetet e palëkundur në politikën e saj të dyerve të hapura, duke theksuar se nuk do ta rishikojë atë sepse Moska e kërkon këtë.