Ministri i jashtëm bjellorus Vladimir
Mackay vdiq papritur teksa po bëhej gati të shkonte për të parë një shfaqje të bashkëshortes së tij aktore. Si shkak i largimit të tij të hershëm nga jeta u përcaktua ataku kardiak, por në Bjellorusi dhe jo vetëm kanë lindur dyshimet e forta se ai mund të jetë helmuar.
Në një faqe ukrainase të quajtur “Apostrophe” shkruhet se ish-ministri është vrarë nga shërbimet sekrete ruse. Këshilltari i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës nuk e përjashton mundësinë se atë mund ta kenë helmuar rusët, pasi ai konsiderohej si një kandidat kyç për të zëvendësuar presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.
Edhe ish-diplomati bjellorus Pavel Latushko ndan të njëjtin mendim, duke theksuar se “Mackey posedonte informacion ekskluziv për Lukashenkon dhe aktivitetet e tij”, prandaj dhe u vra përpara se të udhëtonte në Poloni për të marrë pjesë në konferencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Në të njëjtën kohë, aktivisti rus i të drejtave të njeriut, Mark Feigin , komentoi në një kanal televiziv se vdekja e Mackey i shërben Rusisë.