Burime informojnë se një skuadër ‘gjuetarësh’ e forcave speciale çeçene është lëshuar në Ukrainë për të arrestuar ose vrarë një grup zyrtarësh të veçantë ukrainas.
Secilit ushtar thuhet se iu dha një album i veçantë me foto dhe përshkrime të zyrtarëve ukrainas, raportoi një kanal Telegram i Moskës me lidhje me institucionin e sigurisë.
Lista është e zyrtarëve dhe oficerëve të sigurisë të dyshuar për ‘krime’ nga Komiteti Hetimor Rus, shtohet në raport. Kjo erdhi pasi presidenti i Ukrainës pranoi se ai është ‘shënjestra numër një’ për vrasësit rusë në kryeqytetin e tij, ndërsa familja e tij është ‘objektivi numër dy’ për vrasësit e Putinit.
Skuadra çeçene mendohet të jetë në një pyll ukrainas dhe dyshohet se iu dha një ‘urdhër për të vrarë’ nëse personat në listën e të kërkuarve nuk mund të ndaloheshin. Ka spekulime që ata të identifikuar nga Moska si ‘nazistë’ do të ishin gjithashtu në listën e gjuetisë.
Putin më parë tha se një qëllim kryesor i pushtimit të Ukrainës ishte “denazifikimi” i vendit. Televizioni shtetëror në Çeçeni raportoi se Ramzan Kadyrov, 45 vjeç, lideri i republikës dhe një aleat i ngushtë i Putinit, kishte vizituar forcat e tij në Ukrainë. Besohet se çeçenët janë nga batalioni i jugut i Shërbimit Federal të Gardës, me qendër në Çeçeni.
Kadyrov dje u takua me Viktor Zolotov, drejtor i Shërbimit Federal të Gardës Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Gardës Kombëtare Ruse, një tjetër aleat i ngushtë i Putinit.
Volodymyr Zelensky, 44 vjeç, iu drejtua kombit të enjten mbrëma, në fund të ditës së parë të pushtimit rus të vendit të tij. Ish-komediani i televizionit këmbënguli se ai kishte mbetur në Kiev ndërsa u kërkoi bashkëqytetarëve të tij të qëndronin të fortë. Ai tha se po fliste nga Kievi, por eleganca e pallatit presidencial ishte zhdukur prej kohësh: Zelensky, me bluzën e tij jeshile ulliri, dukej se po fliste nga një bunker.