RUSI- Përdorimi i mundshëm i armëve taktike bërthamore nga Shtetet e Bashkuara në Iran do të ishte një zhvillim katastrofik. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, Tass. Peskov komentoi ato që i cilësoi si raportime spekulative mediale lidhur mundësinë e përdorimit të armëve të tilla. Por, zëdhënësi i Kremlinit nuk përmendi se cilat media kanë raportuar për këtë gjë.
Gazeta The Guardian ka raportuar se zyrtarët amerikanë të mbrojtjes janë informuar se përdorimi i bombave konvencionale kundër ndërtesës nëntokësore për pasurimin e uraniumit Fordo në Iran, nuk do të mjaftonte për ta shkatërruar plotësisht këtë impiant. Sipas gazetës, për shkatërrimin e këtij centrali do të kërkohej që të kryheshin sulme, fillimisht me bomba konvencionale, e më pas bombarduesit B-2 do të mund të lëshonin armë taktike bërthamore.
Megjithatë, gazeta britanike tha se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk po e shqyrton përdorimin e një arme taktike bërthamore në Fordo dhe se kjo mundësi nuk është paraqitur nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë.
Trump tha të enjten se çdo vendim për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit do të merret brenda dy javësh. Rusia, e cila ka lidhje të ngushta me Iranin, ka paralajmëruar ashpër kundër një ndërhyrjeje ushtarake të SHBA-së në anën e Izraelit.