“Rusia përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë evropiane,” Macron: BE-ja do të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën

0

Macron theksoi se pas më shumë se dy vitesh lufte në Ukrainë është bërë e qartë se Rusia përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë evropiane.

SINGAPOR- Presidenti francez, Emmanuel Macron ka mbajtur një fjalim në forumin vjetor të sigurisë në Singapor. Gjatë fjalës së tij Macron u shpreh se Bashkimi Evropian është i vendosur të qëndrojë krah Ukrainës dhe të punojë deri në fund për të garantuar sigurinë e këtij vendi që vazhdon të përballet me agresionin rus.

Sipas tij, BE-ja është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në kontinent, dhe për këtë arsye po ndërmerr hapa konkretë për të forcuar rolin e saj si garantuese e sigurisë në Evropë. Macron theksoi se pas më shumë se dy vitesh lufte në Ukrainë është bërë e qartë se Rusia përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë evropiane.

Sipas presidentit francez, kjo do të thotë se vendet anëtare të BE-së duhet të zhvillojnë më tej kapacitetet e tyre ushtarake dhe të forcojnë bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes. Macron tha se Evropa do të rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë, me qëllim që të kontribuojë më shumë në arkitekturën e përgjithshme të sigurisë euroatlantike.

“Është thelbësore që BE-ja të mos jetë e varur nga askush për mbrojtjen e saj. Pavarësia strategjike është çelësi për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar,” tha Macron.

Bashkimi Evropian pritet të formalizojë një sërë marrëveshjesh të reja të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Ukrainën, si dhe të forcojë më tej mbështetjen politike, ushtarake dhe ekonomike për këtë vend.