Sa ishte bërë baba, apeli i familjes së të riut që u aksidentua për vdekje në Durrës

0

Familjarët  e 29-vjeçarit, Serxhio Vogli, që humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti në qytetin e Durrësit, kanë lëshuar një apel për drejtësi për të afërmin e tyre të ndjerë. Me anë të një letre publike, ata shprehen se ai la pas prindërit e vetmuar, motrën, bashkëshorten dhe fëmijën që kishte sjellë në jetë para katër muajsh.

Në letrën e tyre, ata i referohen kryesisht faktit se si lajmi u shpërnda me shpejtësi nga burimet  e Policisë së Shtetit se Serxhio është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që, për katër ditë me radhë i riu Serxhio Vogli luftoi me vdekjen, por nuk ia doli, duke ndërruar jetë me datën 24 nëntor 2021.

Ndaj ata apelojnë edhe njëherë për drejtësi jo vetëm për rastin e të afërmit të tyre, por e dhe për të gjitha rastet e ngjashme, ku vrasësit e rrugëve jo vetëm nuk janë ndëshkuar siç duhet, por kanë dalë jo pak herë edhe të pafajshëm.

MESAZHI I PLOTË

Qyteti i Durrësit të shtunën e datës 20 nëntor rreth orës 17:50 u bë dëshmitar i një ngjarje tepër të rëndë në lagjen Nr.1 rruga “Taulantia”, ku 19-vjeçari Ervin Late, aksidentoi për vdekje me automjetin e tij shtetasin Serxhio Vogli, 29 vjeç. Lajmi u shpërnda me shpejtësi nga burimet  e Policisë së Shtetit se shtetasi Serxhio Vogli është jashtë rrezikut për jetën. E frikshme ta mendosh se si luajnë me fatin e njerëzve si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Për katër ditë me radhë i riu Serxhio Vogli luftoi me vdekjen, por nuk ia doli, duke ndërruar jetë me datën 24 nëntor 2021. Ky nëntor i zi i mori jetën duke lënë pas prindërit e vetmuar, motrën, bashkëshorten dhe fëmijën që kishte sjellë në jetë para katër muajsh. Prindërit e Serxhios janë të tronditur, për ta nuk do të ketë më diell, nuk do qeshin më si parë, jetën e tyre e rrokullisi kjo tragjedi që nuk i erdhi nga Zoti, por nga një djalë i papërgjegjshëm që përpara kënaqësive të moshës nuk mori parasysh asgjë, duke na dënuar kështu për të gjithë jetën në mjerim. I ndjeri Serxhio ishte djalë i vetëm i familjes, i edukuar dhe shkolluar nga dy prindër të ndershëm që sakrifikuan për të gjithçka, duke i bërë krenar në të gjitha etapat e jetës. Përcjellja për në banesën e fundit tregoi në heshtje, në respekt dhe në lot se kush ishte i riu Serxhio, i cili u përcoll nga qindra të rinj e të reja dhe të gjithë grupmoshat e qytetit të Durrësit me dhimbje shumë të madhe dhe me mesazhe për jetën “Na lini të jetojmë”. Iku jeta e një të riu në lulen e moshës, sapo kishte krijuar folenë e tij, iku shembulli ideal më i mirë që do ta kishte zili çdo prind, iu prenë ëndrrat që çdo ditë po i kthente në realitet. Koha ikën shpejt dhe jeta vazhdon me ritmet e saj, disa kujtime nuk mund të harrohen dhe as të fshihen për të gjithë ju miq, shok dashamirës që ishit pjesë, që nga momenti i aksidentit deri në banesën e fundit. Ju do të qëndroni gjithmonë në mendimet tona. Respekt dhe Mirënjohje për të gjithë Ju. Edhe pse ndjenja e pikëllimit do të mbetet përjetësisht tek ne si prindër apeli ynë i drejtohet shtetit të së drejtës, duke pritur ndëshkimin sipas ligjit për këdo që nuk zbaton ligjet në këtë vend për të shmangur një fatkeqësi tjetër. Nga lindja e diellit deri në perëndim në çdo sekondë do të jemi me kujtimet e tua.

Kujtojmë se, Serxhio Vogli, 29 vjeç u përplas nga një makinë që drejtohej nga 19-vjeçari Ervin Late mbrëmjen e 20 nëntorit teksa ecte më këmbë. Në njoftimin e policisë thuhej se Vogli ishte jashtë rrezikut për jetën.  Por pas 4 ditësh në spital, 29-vjeçari ka ndërruar jetë, duke lënë pa baba një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe.



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu