Nga rrugica e Shpresës, tek ulica e SPAK. Sali Berisha e nisi javën e dytë të fushatës nga oborri i Prokurorisë.
Pas një mungese 1 mujore, ai zbatoi masën detyrim paraqitje dhe një grush militantësh e pritën për të dëgjuar fjalimin e tij.
Doktori e nisi me një sulm ndaj SPAK. Por kur foli për inceneratorin e Tiranës, ai ndryshoi bashkëautorët, dhe harroi me qëllim ose jo, Erion Veliajn.
“Ftoj shqiptarët të pyesin Skapin ku kanë shkuar 130 milionë euro të djegësit të Tiranës.Të pyesin Skapin pse nuk heton Belinda Ballukun dhe Edi Ramën që kanë paguar 130 milionë euro pa vënë asnjë tullë. Të gjitha këto kanë një përgjigje, paratë i mori Edi Rama kryesisht, dhe pastaj i ndau me të tjerë. “
Ai nuk përmendi zhbërjen e SPAK, por la dy paralajmërime, një për Altin Dumanin e një tjetër për 11 majin.
“Këto pyetje, do të marrin përgjigjen e merituar, më 11 maj. Përgjigje të shkëlqyer. Dumanit të Ramës, i lashë një shënim. Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. “
Por nëse plani i zhbërjes së SPAK, nuk po i ngjit tek qytetarët. Plani tjetër i hapjes së burgjeve, po ngroh zemrat, e të burgosurve, nga 313.
Dhe doktori iu përgjigj live, Ilir Metës dhe shokëve të qelisë.
“Shqipëria mban në burgje 67 përqind të të gjithë popullatës së burgjeve është në paraburgim dhe nuk ka dëshmi më madhore torture se sa kjo. Në këtë vend ka pushuar së funksionuari prezumimi i pafajësisë, një parim shekullor i drejtësisë. Ndaj i garantoj se ato ditë burgu që bëjnë pa meritë, do u shpërblehen me rrogat e qeveritarëve që i kanë mbajtur. Ka qenë tortura që i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta”
Dhe si kohë fushate, Berisha e shfrytëzoi rastin për të sulmuar para SPAK, Suel Çelën. Për ti dhënë një dorë, edhe kandidates së tij të fisit Çapja në Elbasan.
“Me këtë rast ftoj çdo qytetar të pyesë Skapin e partisë, pse Taulant Balla është i lirë dhe bën fushatë kur ata flenë mbi dosjet e krimeve të tij. Kur ata disponojnë të gjithë dokumentet se ai është anëtar kryesor i grupit kriminal Toyota Yaris, i grupit kriminal të Suel Çelës, i grupit kriminal të Bajrëve.”
Edhe javën e fundit të fushatës, doktori do e nisë po nga dyert e SPAK dhe më pas do të shkojë më 11 maj, datë ku do të mësojë verdiktin e qytetarëve, nëse do të çojnë për skrap SPAKUN, apo vetë kryetarin e Shqipërisë Madhështore.