Për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve të Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahen në Tiranë më 6 dhjetor, do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë policie. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare.
A2CNN shkruan se një pjesë e efektivëve do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit. Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.
Po më 6 dhjetor, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka thërritur një protestë kombëtare. Kryedemokrati ka deklaruar se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore. Protestën e thirrur nga Berisha e ka mbështetur dhe aleati i tij në opozitë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ndërkohë kjo protestë duket se do të ‘përçajë’ edhe më tej opozitën pasi kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë.