Samiti i Komunitetit Politik Evropian/ Nisin që sot kufizimet, ja oraret dhe rrugët që do të bllokohen deri më 16 maji

0

TIRANË- Bllokimet e para të rrugëve në kuadër të mbarëvajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Europian që do të mbahet të premten në Tiranë do të nisin që mbrëmjen e sotme në orën 22:00 deri në orën 23:00. Për një orë, aksi rrugor nga aeroporti i Rinasit, hyrja te autostrada e re “Thumanë-Kashar”, deri te ish sheshi “Shqiponja” vazhdim Unaza e re krahu i Astirit, rrethrrotullimi i Saukut të vjetër, Rruga e Elbasanit deri në qendër, do të bllokohet plotësisht.

Edhe të enjten, në 15 Maj, por më gjatë, nga ora 08:00 deri në 24:00 dhe në 16 maj të premten ditën e Samitit, nga ora 06:30 deri në 11:30 do të bllokohen të njëjtat akse rrugore, duke shtuar disa rrugë të tjera si ajo “George ë. Bush”, “28 Nëntori”, “Rruga e Dibrës”, rruga “Urani Pano” dhe sheshi “Skënderbej” ku do të mbahet aktiviteti.

I njëjti itinerar, por me drejtim nga qendra për në Aeroportin e Rinasit do të jetë e bllokuar në datën 16 Maj nga ora 13:00 deri në orën 18:00. Të premten, duke nisur nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të darkës, do të jenë të paaksesueshme për makinat dhe këmbësoret të gjitha rrugët dhe bulevardet që të afrojnë drejt sheshit Skendërbej. Gjatë ditës do të ketë bllokime të pjesshme gjatë kohës kur delegacionet do të lëvizin nga hotelet ku do qëndrojnë drejt sheshit ku do të mbahet aktiviteti.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian (EPC) që do të mbahet në Tiranë më 16 maj 2025 është një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare që do të mbledhë 47 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa, përfshirë vendet anëtare të BE-së dhe ato jashtë saj, si Shqipëria, Kosova, Serbia, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Turqia. Ky është samiti i gjashtë i EPC-së dhe për herë të parë mbahet në Ballkanin Perëndimor.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë e krijuar për të forcuar dialogun politik dhe bashkëpunimin mes vendeve evropiane në çështje të përbashkëta si siguria, stabiliteti dhe prosperiteti. EPC-ja nuk është një strukturë e BE-së dhe nuk zëvendëson organizata ekzistuese, por synon të krijojë një hapësirë fleksibile për koordinim politik ndërmjet vendeve anëtare dhe jo-anëtare të BE-së.