Sara Mile sfidon “të vjetrit” e PS-së: “Elbasani ka qenë i përgjumur prej vitesh, unë dua ta zgjoj!”

0

Deputetja socialiste e qarkut të Elbasanit, Sara Mile, është kthyer në një prej zërave më të drejtpërdrejtë e të sinqertë të Partisë Socialiste. Në një intervistë për “Radio Tirana”, 30-vjeçarja që doli ndër më të votuarat në zgjedhjet e fundit, nuk nguroi të flasë hapur për mungesën e angazhimit që ka mbajtur peng zhvillimin e Elbasanit.

“Investimet në qarqe duan një lobim pozitiv në qeveri. Por prej shumë vitesh, përfaqësuesit e Elbasanit në Parlament nuk kanë bërë sa duhet për të sjellë projekte e investime që rikthejnë shpresën tek të rinjtë. Ata kanë qenë të përgjumur,” u shpreh Mile.

Deputetja theksoi se ka një garë të vazhdueshme mes qarqeve për fonde dhe projekte, dhe Elbasani, sipas saj, duhet të zërë më në fund vendin që meriton. “Ky qytet ka potencial, ka njerëz të aftë dhe energjikë, por duhet më shumë përkushtim dhe vizion,” – nënvizoi ajo.

Edhe pse nuk përmendi emra, deklarata e saj shihet si një mesazh i fortë për një brez të ri socialistësh që kërkojnë ta çojnë Elbasanin drejt një zhvillimi real, përtej emrave të konsumuar dhe politikës së vjetër.

Sara Mile po shfaqet gjithnjë e më shumë si fytyra e re, energjike dhe kritike e mazhorancës në qark, duke fituar respekt për guximin dhe tonin e saj të drejtëpërdrejtë në mbrojtje të interesave të qytetit që përfaqëson.