Një deklaratë e kreut të AAK-së, ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me buxhetin që i nevojitet Ushtrisë së Kosovës, ka sjellë reagimin e shpejtë të mediave serbe, një pjesë e të cilave e kanë komentuar thirrjen e Haradinajt si një thirrje për ta fuqizuar Ushtrinë me paratë e diasporës.
“Novosti” shkruan se shqiptarët po fuqizohen, ndërsa shton se, ndër donatorët më besnikë, të Ushtrisë së Kosovës është Turqia, por edhe Kroacia dhe disa shtete perëndimore.
“Deri më tani në Prishtinë kanë mbërritur kryesisht automjete luftarake, armatim këmbësorie dhe pajisje. Shqiptarët planifikojnë ngritjen e fondit të blerjes së armëve. Ideja është hedhur nga Ramush Haradinaj” shkruan ndër të tjera gazeta serbe.
Ljuban Karan, një ish-oficer i kundërzbulimit ushtarak serb theksoi se armatosja e forcave shqiptare të sigurisë në Kosovë sado e rrezikshme të jetë, “nuk është i vetmi kërcënim për Serbinë dhe popullin serb”. Sipas tij, ekziston një rrezik më i madh që të krijohet atmosferë që “Ushtria e Kosovës” të jetë në mesin e anëtarëve të NATO-s në të ardhmen.
Deklarata e Haradinajt:
“Ushtrisë së Kosovës i duhen buxhet 10 miliardë euro. Buxheti i tanishëm prej 100 milionë eurosh nuk mjafton që të kemi një ushtri të aftë për mbrojtje ndaj agresorëve të mundshëm. Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerr një ligj për një fond për ndihmë ndaj Ushtrisë së Kosovës. Për donacione të shqiptarëve kudo që janë, në trojet e veta etnike apo në diasporë, për Ushtrinë e Kosovës”.
Marrë nga novosti.rs