Serbi i dyshuar për vrasjen e 33 shqiptarëve gjatë luftës, refuzon ekstradimin nga Hungaria në Kosovë

0

HUNGARI- Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e shtetasit serb në Budapest të Hungarisë, i cili dyshohet për krime gjatë luftës në Kosovë.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, ai dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, ku janë vrarë 33 persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se në Budapest të Hungarisë, sipas Urdhër arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb. Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka konfirmuar arrestimin e shtetasit serb, Savo Stefranoviç, të dyshuar për vrasjen e 33 civilëve shqiptarë në lagjen Kristal në Pejë në vitin 1999 ku njëkohësisht ata pohuan se i arrestuari nuk pranon të ekstradohet në Kosovë.

“Gjykata Metropolitane e Budapestit do të kontaktojë me autoritetet gjyqësore të Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë së Hungarisë”, thanë nga Zyra për Komunikim Ndërkombëtar e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë.

Shtetasi serb dhe dy shoqëruesit e tij dyshohet se kanë ndihmuar dhe marrë pjesë në të shtënat ndaj civilëve në zonën e vendbanimit Kristal në Pejë në vitin 1999, që rezultoi me vdekjen e 33 shqiptarëve të Kosovës. Dënimi maksimal që mund t’i shqiptohet të akuzuarit është burgimi i përjetshëm. Të hënën, gjykata hungareze shqyrtoi ekskluzivisht nëse kushtet për ekstradim dhe arrest me ekstradim të përkohshëm ishin përmbushur në bazë të informacionit të disponueshëm. Serbi nuk ka pranuar ekstradimin e tij.

Arrestimi i përkohshëm hiqet nëse nuk merret asnjë kërkesë për ekstradim deri më 26 nëntor 2022. Kusht shtesë për ekzekutimin e ekstradimit të të akuzuarit është që autoriteti gjyqësor i Kosovës të sigurojë, brenda afatit të caktuar, garanci adekuate ligjore qpër kërkesën e ekstradimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu