Agjencia serbe e Inteligjencës (BIA) sot ia ka dërguar një letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), pasi televizioni publik zviceran raportoi të premten se ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb. BIA i quan “pretendime dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së kujtdo” raportimet e mediave për këtë çështje.
“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për destabilizimin, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në letrën e dërguar nga BIA, për të cilën ka shkruar agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.
Ky medium po ashtu ka raportuar edhe për një deklaratë të avokatit Goran Petronijeviq, i cili ka thënë se “dorëshkrimi përmes të cilit u kërcënua Marty, është vepër e britanikëve ose edhe e shqiptarëve”.
“Ky është dorëshkrim i MI-6 (Inteligjenca britanike), por nuk e përjashtoj mundësinë që është edhe i shërbimit inteligjent shqiptar”, citohet të ketë thënë avokati nga Beogradi.
Në një intervistë të publikuar dy ditë parë, Marty pretendoi se disa qarqe të lidhur me shërbimet serbe i kanë kërcënuar jetën. Ai së bashku me familjen e tij janë vënë nën mbrojtje, ndërsa ish-raportuesi i Këshillit të Europës shtoi se faji për vrasjen e tij do t’i vendosej Kosovës.