Sherr brenda PS në Dibër/ Kandidati socialist për deputetë godet punonjësin e Ujësjellësit

0

DIBËR- Paraditen e sotme, në qendrën e votimit 1122 të vendosura në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër, është regjistruar një incident, ku një përplasje verbale mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste ka degjeneruar në dhunë fizike.

Sipas burimeve nga vendngjarja, kandidati i Partisë Socialiste, Danjel Gjura, thuhet se ka goditur me grusht shtetasin Florian Lazri punonjës i Ujësjellësit, gjatë një debati që mendohet të jetë zhvilluar në lidhje me veprimtari të karakterit elektoral dhe ndikimin mbi votuesit. Lazri thuhet se ishte në mbështetje të kandidatit Agron Malaj.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të qendrës së votimit, në prani të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor. Menjëherë pas incidentit, policia është thirrur në vendngjarje për të marrë deklaratat e palëve të përfshira dhe për të nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Deri në momentin e publikimit të këtij informacioni, Partia Socialiste nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar në lidhje me rastin. Burime jozyrtare tregojnë se konflikti mund të ketë lindur nga mosmarrëveshje të brendshme brenda strukturave lokale të kësaj force politike, të cilat dyshohet se lidhen me menaxhimin e listave të mbështetësve dhe ndikimin mbi elektoratin.

Ky incident ndodh në një klimë të tensionuar politike në qarkun e Dibrës, ku rivaliteti mes forcave politike është intensifikuar ndjeshëm në ditët e fundit dhe janë shtuar raportimet për presion mbi votuesit.