Sherr mes adoleshentëve në Ferizaj: 16-vjeçari sulmohet me thikë nga tre adoleshentë

0

Një ngjarje e rëndë është shënuar të dielën, më 27 prill, në oborrin e një shkolle në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj, ku një i mitur është sulmuar brutalisht nga tre persona.

Sipas njoftimit të Policisë, viktima, F.V., 16 vjeç, pas një konflikti verbal, është sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë, duke pësuar lëndime serioze në trup. Fillimisht, ai ka marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Ferizajt, për t’u transferuar më pas për trajtim të specializuar në QKUK në Prishtinë. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Policia ka arritur të identifikojë njërin nga të dyshuarit, M.D., shtetas i Shqipërisë, i cili u arrestua sot rreth orës 12:30 në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj. Gjatë kontrollit fizik, te i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një thikë që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit.

Sipas vendimit të prokurorit të çështjes, i dyshuari është ndaluar për 24 orë dhe ndaj tij do të zhvillohen hetime të mëtejshme.