“Shkarkimi për mungesë, fyerje e rëndë”, Veliaj godet vendimin e qeverisë për shkarkim: Goditja më erdhi nga të mitë

0

“Goditja më erdhi nga të mitë”, kështu u shpreh Erion Veliajn teksa mbajti fjalën e tij në seancën në Kushtetuese.

Ai gjithashtu theksoi se askush nuk mund të thotë se ka munguar në detyrën e tij, duke thënë se mungesa e prezencës së tij nuk ka qenë zgjedhje, por nga vendim

“Jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopësht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve. E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë. Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit. E kur beson se ke dhënë gjithçka për këtë mandat të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra: “Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj.” Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë. Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.
 Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.
 Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji”, tha Veliaj.

Më tej u shpreh se u shkëput padrejtësisht nga puna, nga ata që sipas tij donin të shihnin me pranga në duar.

“Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër. Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë. Fort të nderuar,
 Që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015 si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet. E kam drejtuar me gjithë forcën time shpirtërore, mendore dhe fizike, pa kursyer asgjë nga vetja. Ky qytet ka qenë familja ime e madhe.
Nuk pretendoj se çdo gjë e kam bërë mirë, apo se çdo gjë që kam dashur ta bëj, kam mundur ta bëj. Por, një gjë e di me siguri: Askush nuk mund të më “akuzojë” se nuk kam qenë në detyrë. Sepse kush thotë se unë kam munguar, fyen inteligjencën e të gjithë qytetarëve të Tiranës që më kanë besuar tre herë me radhë, pikërisht sepse e panë me sytë e tyre përkushtimin tim, dashurinë time për punën dhe për qytetin. Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi disproporcional, nga letra anonime dhe zell persekutues, që më privoi jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi. Si mund të quhet “shkelje” mungesa e një Kryetari Bashkie që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë? A mos vallë duam të legjitimojmë idenë se çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin që ai vetë ia ka dhënë me votë të lirë? Nëse kjo pranohet, atëherë çdo mandat i zgjedhur nuk është më një garanci e sovranitetit qytetar, por një leje që mund të të hiqet në çdo kohë nga vullneti politik.”, tha Veliaj.