Policia iraniane dyshohet se ka qëlluar mbi një grua e cila po ngiste makinën pa respektuar rregullat për mbajtjen e shamisë, duke e plagosur rëndë dhe duke e lënë të paralizuar.
Arezoo Badri ishte duke shkuar në shtëpi në qytetin verior të Noor më 22 korrik kur policia u përpoq ta ndalonte pasi makina e saj ishte raportuar.
Një OJQ tha se beson se Badri, nënë e dy fëmijëve, mund të jetë parë ose filmuar duke drejtuar mjetin pa hixhab në ditët e shkuara, dhe se ishte lëshuar një paralajmërim për targat e saj.
Pasi u dërgua fillimisht në një spital në Noor, Badri u transferua në një spital në Sari, kryeqyteti i provincës, për një operacion në mushkëri.
Një javë më vonë ajo u dërgua në kryeqytetin iranian, Teheran, por plumbi u hoq vetëm pas 10 ditësh.
Gruaja tani ndodhet në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Vali-e-Asr në Teheran, në pronësi të policisë, nën ruajtje të fortë. Familjarëve të saj u lejohen vetëm vizita të shkurtra, gjatë të cilave u konfiskohen telefonat celularë.
Policia iraniane njoftoi kohët e fundit një goditje ndaj grave që nuk respektojnë kodin e detyrueshëm të veshjes së vendit.