Shërbimi Hetimor Kombëtar Bullgar ka konstatuar se për aksidentin tragjik ku ndërruan jetë 45 persona është përgjegjës drejtuesi i “Besa Trans” i cili drejtonte mjetin me një shpejtësi jashtë normave të lejuara. Mediat lokale shkruajnë se duke qenë se shoferi përgjegjës ka ndërruar jetë, sipas autoriteteve në Bullgari, askush nuk do të dënohet për këtë ngjarje. I pyetur për përgjegjësinë që duhet të mbajë kompania e udhëtimeve “Besa Trans” që ishten dëshkuar dhe katër herë të tjera për shkelje të rregullave e nuk kishte licensën e nevojshme, prokurori publik Ljubomir Joveski tha se po hetohet edhe në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht pyetjeve të gazetarëve, Joveski këmbënguli se hetimeve të aksidentit u ishte dhënë fund.
Intervista e plotë:
Shërbimi Hetimor Kombëtar Bullgar ka konstatuar se për aksidentin e autobusit në Bullgari është përgjegjës drejtuesi i “Besa Trans” dhe shpejtësia e madhe. Shoferi vdiq në aksident. A do të thotë që askush do të mbajë përgjegjësi penale?
Prokuroria e Republikës së Bullgarisë deklaroi se po pezullon hetimet, procedurën para hetimore për këtë rast, pasi siç e përmendët ju, kishte konstatuar se shpejtësia me të cilën ishte drejtuar autobusi nuk ishte në përputhje me trafikun specifik. Prandaj, ka disa mundësi që familjet e pasagjerëve tani të ndjerë të mund të bëjnë ankim në Prokurorinë e Republikës së Bullgarisë në bazë të këtij vendimi. Ata kanë të drejtë të shqyrtojnë dosjet në rastin konkret. Ata gjithashtu kanë mundësinë të paraqesin padi civile për dëmshpërblim pranë organeve kompetente të Republikës së Bullgarisë. Nuk kemi marrë ende kërkesën nga autoritetet kompetente të Republikës së Bullgarisë.
Deri ku është hetimi në Prokurorinë tonë për funksionimin e “Besa Trans”, si dhe veprimet e organeve të tjera kompetente?
Prokuroria tashmë disa herë ka deklaruar se paralelisht me këtë rast në Republikën e Bullgarisë, ka hapur procedurë paralele edhe këtu në Republikën e Maqedonisë. Në këtë procedurë nga prokurori publik i cili e trajton rastin janë lëshuar disa urdhra për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë doganore, pastaj Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Regjistrin Qendror, Byronë e Punësimit, me qëllim të shqyrtimit të plotë të punës. Kompania e cila e ka organizuar këtë udhëtim dhe ka kryer transportin, po hetohet veçanërisht në pjesën se si autobusi i ka kaluar kufijtë e Republikës së Maqedonisë dhe kufijtë e shteteve fqinje në pjesën e saktësisë teknike të këtij autobusi dhe regjistrimit të tij dhe licencave dhe rrethanave tjera që janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të prokurorit publik.
Ku është pronari i Besa Transit, Bekim Haxhiu. A është në dispozicion të Prokurorisë?
Nga informacionet që kam unë, ai është në dispozicion të Prokurorisë, dhe avokati i tij dhe i pandehuri janë pajtuar se dëshiron të bashkëpunojë me organet kompetente për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që kanë sjellë deri te ky aksident.
Aksidenti tragjik u regjistrua më 23 nëntor të vitit të kaluar. 45 persona, mes tyre dhe 17 fëmijë, kryesisht shqiptarë të Kosovës humbën jetën pasi autobusi me të cilin udhëtonin u aksidentua. Shumë prej tyre ishin familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore, duke e bërë akoma më të dhimbshme humbjen për të afërmit.





