Shpalli interesin për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, LËVIZJA e Erion Braçes dhe kërkesa që depozitoi në KQZ disa ditë më parë

0

Deputeti socialist Erion Braçe ka bërë një lëvizje surprizë në skenën politike të kryeqytetit. Pak ditë para se të shpallte publikisht interesin e tij për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Braçe ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për të marrë informacion mbi aktivitetin e tij politik gjatë 25 viteve të fundit, që nga vitit 1996, kur garoi për herë të parë si deputet.

Sipas kërkesës së siguruar nga Weblajm, mësohet se socialisti ka depozituar më 24 mars në KQZ kërkesën për të marrë informacione lidhur me rezultatet që ai ka korrur përgjatë këtyre viteve.

Kjo kërkesë e Braçes është pasuar më pas nga deklarata e bërë ditën e djeshme në Asamblenë e Partisë Socialiste të njësisë 5. Newsbomb bëri me dije më herët se ish-zv.kryeministri dhe deputeti socialist, po konsideronte kandidaturën për zgjedhjet lokale të vitit 2027, ndryshe nga vendimi i strukturave të Partisë Socialiste për të mbështetur Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të Bashkisë.

Ai ka njoftuar se do kërkojë mbështetjen e socialistëve në të gjithë Tiranën, dhe nëse nuk do të jetë kandidati zyrtar i Partisë Socialiste, nuk përjashton mundësinë për të kandiduar si kandidat i pavarur.

“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë” tha Braçe në mbledhjen e mbajtur ditën e djeshme.