Shqipëria dhe Letonia janë përballur 5 herë, e fundit në vitin 1999! Ja bilanci mes skuadrave

0

Letonia dhe Shqipëria do të përballen nesër në mbrëmje në “Skonto Stadium” të Rigës, në një ndeshje që shkon përtej thjesht tri pikëve.

Është një betejë direkte për vendin e dytë në Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, por edhe për të shkruar një faqe të re në historinë e përballjeve mes dy kombëtareve.

Deri më sot, në pesë sfida të luajtura mes tyre, askush nuk ka mundur të dalë fitues. Pesë ndeshje, pesë barazime, me golaverazh total 6-6, si për të treguar më së miri ekuilibrin e plotë që e ka shoqëruar këtë duel.

Përballja e fundit, në shtator të vitit 1999 në “Qemal Stafa”, përfundoi me spektakël golash, por barazim 3-3. Çdo tentativë për ta prishur këtë ekuilibër ka dështuar. Nesër në Riga, njëra prej dy kombëtareve ka shansin historik ta ndryshojë këtë kapitull të pazakontë dhe të marrë fitoren e parë.

Statistikat e grupit flasin në favor të Shqipërisë: kuqezinjtë kanë shënuar 3 gola në këto eliminatore, me një mbrojtje të fortë, që ka pësuar vetëm 2 gola (nga Anglia).

Letonia, përkundrazi, ka shënuar vetëm një gol dhe ka pësuar 3. Për më tepër, diferenca në renditjen e FIFA-s është e dukshme: Shqipëria pozicionohet në vendin e 66-të, ndërsa Letonia renditet e 138-ta.

Për Shqipërinë, kjo sfidë është mundësi që nuk duhet lënë të ikë. Fitorja në Riga jo vetëm që do të ishte historike në raport me bilancin mes dy kombëtareve, por mbi të gjitha do të ishte hap i madh drejt një ëndrre të përbashkët që quhet Botërori 2026.