“Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, ndalohen 16 të rinj maqedonas për thirrje raciste

0

Policia ka ndaluar 16 të dyshuar pjesëtarë të grupit “Komitët” për përdorimin e gjuhës së urrejtjes e që kanë lidhje me dy rastet e fundit me thirrje antishqiptare.

Nga MPB thonë se në koordinim me Prokurorinë Publike janë duke ndjekur të dyshuarit në rastin e djeshëm në Gjorçe Petrov dhe të një javë më parë në qendër të kryeqytetit.

Grup i tifozëve maqedonas “Komiti” me thirrjen e zakonshme “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” provokoi një kolonë dasmorësh shqiptarë, të cilët kalonin me vetura dhe motoçikleta në mesditën e të shtunës në vendbanimin Gjorçe Petrov.

Bëhet fjalë për dy raste për të cilat do të bëhen kallëzime penale.

Janë vërtetuar identitetet e pjesëmarrësve në këto raste, të cilët janë thirrur nga policia për tu marrë në pyetje.

Konkretisht për rastin e djeshëm, janë ndaluar 16 persona dhe po ndërmerren të gjitha veprimet shtesë me qëllim që të zbardhet rasti.

“MPB ka zero tolerancë për veprime të këtilla, kështu që do të punohet në mënyrë intensive deri sa personat përgjegjës të përgjigjen përpara ligjit”, tha Suzana Praniq, Zëdhënëse e MPB-së.

Ekspertët e sigurisë bëjnë thirrje për reagime të shpejta të organeve të rendit dhe prokurorisë me qëllim të mos eskalimit të provokimeve të tilla në incidente ndër etnike.

Reagimet ishin të shumta, si nga opinioni ashtu edhe nga opozita shqiptare.

Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së:

“Sjelljet e Komitëve burimin e kanë tek sistemi, që u jep fuqi dhe përkrahje, pavarësisht kush është në pushtet. Për sa kohë sistemi nuk i dërgon prapa grillave këto huligan, fenomene te këtilla s’do të kenë të ndalur!”

Të dielën e kaluar në sheshin e Shkupit, gjithashtu ky tifo-grup bëri thirrjet e njëjta nacionaliste. Por, provokime të tilla nuk kanë marrë asnjë epilog hetues deri tani.

Sipas Kodit Penal, gjuha e urrejtjes është e dënueshme nga një deri në pesë vite burg.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu