“Mercedes-Benz” është marka, që për dekada të tëra arriti të përshtatet me rrugët e dërrmuara të Shqipërisë dhe u bë shpëtim për mijëra qytetarë. Përmendim këtu llojet “240”, “190” apo “200”, siç njihen në zhargon, të cilat ishin makina shumë të forta dhe përballonin vështirësitë.
Gjithsesi, me kalimin e viteve, “Benzi” nisi të orientohej më shumë nga luksi dhe makinat e kësaj marke u shtrenjtuan ndjeshëm. Si rrjedhojë shqiptarët janë orientuar për të blerë makina të markave të tjera, teksa duket se nuk i ndahen markave gjermane.
Në tre muajt e parë të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 14.460 mjete te reja, nga të cilat 27 lloje mjetesh dhe 276 marka mjetesh, raporton INSTAT. Sipas të dhënave më të fundit “Volkswagen” është bërë marka e preferuar e makinave nga shqiptarët.
“Volkswagen” përbën numrin më të lartë të makinave në qarkullim në Shqipëri, duke përbërë 20.4% të totalit, e ndjekur nga “Mercedez Benz” me 16,3%. Deri në dhjetor të 2021 sipas të dhënave të Drejtorisë së shërbimit të Transportit totali i mjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht ishte 740,669 mjete ku 593,280, janë autovetura.
Në fillimin e këtij viti INSTAT raporton se gjatësia e rrjetit rrugor të Shqipërisë është 3.606 km, duke u ndarë në autostrada, rrugë interurbane apo urbane dhe rrugë lokale.