Shtëpi bari në Vlorë/ Sekuestrohen mbi 700 bimë kanabis dhe pajisje për kultivimin e tyre, arrestohen dy persona!

0

VLORË- Një shtëpi bari është zbuluar në lagjen “24 Maji” në Vlorë, pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Indoor”. Policia gjeti në katin e parë të një objekti trekatësh dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike ku u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, 482 prej të cilave ishin të mbjella në kubikë.

Lartësia e këtyre bimëve arrinte në një lartësi 90-110 cm. Policia ka sekuestruar gjithashtu 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Në kuadër të operacionit u arrestua një 24-vjeçar i cili dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre. Gjithashtu është shpallur në kërkim në tjetër 24-vjeçar i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira.

Gjatë operacionit, dhe kontrolleve të ushtruara në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga një 35-vjeçar u gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis. I riu me incialet, E.L., u vu në pranga nga policia. Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

“Po gjatë ditës së sotme, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në terrene të hapura dhe ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimi me qytetarët, është finalizuar operacioni i dytë policor i koduar “Indoor”.

Në kuadër të këtij operacioni, strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, zbuluan në lagjen “24 Maji”, në katin e parë të një objekti trekatësh, dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatur për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm. Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Po gjatë operacionit, në këtë ambient u gjet dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 24 vjeç, lindur në “Përlat”, Mirditë, dhe banues në Lezhë.

Ky shtetas dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.

Në vijim të veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi I. K., 24 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira, Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë operacionit, në vijim të kontrollit të ushtruar në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga shtetasi E. L., 35 vjeç banues në Vlorë, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, poseduesi i lëndës narkotike u arrestua në flagrancë.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”, thuhet në njoftimin e policisë.