Teodor Vaso, një nga ikonat e Kombëtares së Shqipërisë në vitet ’60-’70 është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka shprehet në mesazhin e ngushëllimit se futbolli shqiptar humbi sot një legjendë.
Sipas kreut të federatës Shqiptare të Futbollit, Vaso ishte edhe një figurë emblematike për klubet e Skënderbeut, Partizanit dhe 17 Nëntorit.
“Mbrojtës i pakalueshëm, futbollist model dhe njeri me kontribute të mëdha në futbollin shqiptar e veçanërisht atë korçar. Ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në histori. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Vaso, miqve dhe të afërmve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar. Të prehesh në paqe Teodor Vaso”.
Ai njihet si njëri nga 5 sportistët më të mirë të vitit 1968 në përbërje të ekipit kombëtar të futbollit shqiptar për rezultatin e jashtëzakonshëm në barazimin 0-0 me kampionen e botës, RF Gjermane.
Futbollisti korçar ka zhvilluar 46 ndeshje ndërkombëtare, nga këto 20 me Kombëtaren, si lojtari me më shumë takime të futbollistëve korçarë. Gjatë karrierës së tij futbollistike, ai ka shënuar 26 gola ndonëse ishte në role mbrojtëse.