Shuhet nga COVID profesori i njohur i Ekonomisë

0

COVID i ka marrë jetën profesorit të njohur të Fakultetit të Ekonomisë dr. Ahmet Ceni. Ai ka qenë zv/ministër i Transportit dhe më pas i Punës dhe i Çështjeve Sociale.  Lajmi është bërë me dije nga deputetja socialiste me anë të një statusi në rrjetet sociale.

“Covidi na mori edhe një tjetër. Sot u nda nga jeta Prof. Dr. Ahmet Ceni, një jetë në shërbim publik. U nda nga jeta një nga mentorët e mi. Ngushëllimet e para i shkojnë familjes dhe menjëherë mbrapa kolegëve, që sot u tronditëm dhe nuk e pranojmë dot që profesori nuk do të jetë më mes nesh”, shkruan ajo ndër të tjera.

Kush ishte Ahmet Ceni

Ai u lind në Shkodër në vitin 1950. Shkollën tetë vjeçare përfundoi në Shkodër ndërsa shkollën e mesme në Teknikumin Ekonomik “Nako Spiro” në Tiranë. Mbas shkollës së mesme ai kreu shërbimin ushtarak për një periudhë prej dy-vjeçare dhe në vitin 1972 filloi studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi sipas programit në vitin 1977.

Mbas mbarimit të shkollës nga viti 1997 deri në vitin 1982 ka punuar me detyra të ndryshme funksionale si përgjegjës i degës së financës dhe i planit në ndërmarrje të ndryshme të Shkodrës. Në vitin 1982 dhe deri aktualisht punoi kryesisht në Fakultetin e Ekonomisë si pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Organizimit të Punës dhe në vitin 1992 deri 1995 si përgjegjës i departamentit të Menaxhimit.

Në vitin 1998 deri në vitin 2000 ishte Zëvendës Ministër i Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 si zëvendës Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale. Ka shkruar mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ kryesisht në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit dhe të menaxhimit. Është autor i tre teksteve mësimore që zhvillohen në nivelin Bachelor dhe Master si dhe autor i leksioneve të ciklit të tretë në lëndët ‘Menaxhimi shpërblimit dhe i performancës”.

Autor i disa monografive nga të cilat mund të përmendim “Shqipëria nga Plani në treg”, “Drejtimi dhe Informacioni”, “Analiza e normave dhe normimi i punës drejtuese”, etj si dhe drejtues i mbi 15 doktoratave dhe punimeve të tjera shkencore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu