TIRANË- Dasma në Kamëz përfundoi në plagosje. Ditën e djeshme u raportua një zënkë mes dy kushërinjve, e cila përfundoi me plagosje dhe me arrestim. Sot, janë zbardhur dëshmitë e kushërinjve të përfshirë në konflikt.
Gjithçka mësohet se ka nisur për një borxh që i plagosuri i ka pasur autorit të ngjarjes Fatjon Luca. Ky i fundit i ka thënë hetuesve se 500 eurot që ia kishte dhënë Hafuz Trocit nuk i kishte marrë pas. Sipas tij, ia kishte kërkuar disa herë, por i plagosuri nuk ia ka dhënë paratë.
Konflikti i djeshëm ka nisur pasi autori dhe personat e tjerë kanë qenë në një dasmë. Në përfundim të ceremonisë Luca është afruar dhe në mënyrë direkte e ka qëlluar në gjoks Hafuz Trocin. Pas incidentit, janë përfshirë edhe persona të tjerë familjarë të Trocit dhe Lucës, të cilët kanë nisur të qëllojnë njëri-tjetrin me grushte, çfarë ka sjellë dëmtimin e tyre.
Pas mbledhjes së provave në vendin e ngjarjes, policia ka arrestuar autorin Fatjon Luca, ndërsa po hetohen në gjendje të lirë të gjithë personat e tjerë të përfshirë.