Si është të intervistosh Andrew Tate për BBC

0

RUMANI- Andrew Tate ka mohuar nxitjen e një kulture të mizogjinisë dhe ka mbrojtur reputacionin e tij në një intervistë luftarake me BBC. Kur BBC i bëri atij një sërë akuzash – duke përfshirë akuza specifike për përdhunim, trafik njerëzor dhe shfrytëzim të grave, për të cilat ai po hetohet nga prokurorët rumunë – ai i hodhi poshtë ato.

Kur u pyet nëse pikëpamjet e tij të diskutueshme për gratë dëmtonin të rinjtë që e adhuronin, ai pretendoi se ai ishte një “forcë për të mirën” dhe se ai “po vepronte nën udhëzimet e Zotit për të bërë gjëra të mira”. Kjo ishte intervista e parë televizive e Tate me një transmetues të madh që kur u lirua nga burgu dhe u vendos në “arrest shtëpie” në prill. Tate, i cili ka shprehur vazhdimisht mosbesimin e tij ndaj mediave tradicionale, ka një numër të madh ndjekësish në internet, por pikëpamjet e tij deri më tani kanë mbetur të pakundërshtuara në një intervistë të drejtpërdrejtë si kjo.

Ai pranoi intervistën tonë pa kushte të përcaktuara.

Ai hodhi poshtë dëshmitë e grave, të cilat e kanë akuzuar atë për përdhunim dhe shfrytëzim. Madje përshkroi një grua tjetër, të intervistuar në mënyrë anonime nga BBC në fillim të këtij viti, si “imagjinare”, duke thënë se ajo ishte shpikur nga BBC.

Gruaja në fjalë, me pseudonimin Sophie për të mbrojtur identitetin e saj, tha për File on Four të BBC Radio 4 se ajo shkoi pas Tate në Rumani duke besuar se ai ishte i dashuruar me të. Atje, asaj iu bë presion për të “shitur” trupin në internet dhe për të bërë tatuazh emrin e Tate në trupin e saj.

Kur u pyet për dëshminë e Sophie, Tate i tha BBC-së: Unë po ju bëj nderin si media, duke ju dhënë rëndësi, duke ju folur. Dhe po ju them tani, kjo Sophie, të cilën BBC e ka shpikur, që nuk ka fytyrë. Askush nuk e di se kush është. Por unë e di të vërtetën.

Sophie po ndihmon tani prokurorët rumunë me hetimin. I shtrova atij gjithashtu shqetësimet e mësuesve të shkollave, figurave të larta të policisë dhe aktivistëve të të drejtave lidhur me ndikimin e pikëpamjeve të tij. Por të gjitha këto për Tate ishin: Idiotësi!

Më vonë gjatë intervistës, ai tha se ishte “plotësisht e pandershme” që të “pretendohej” se ai po dëmtonte të rinjtë. Kur u pyet për organizatat që e fajësuan atë për incidentet e shtuara të sulmeve të vajzave dhe ngacmimit të mësueseve, ai tha: Unë kurrë, kurrë nuk kam inkurajuar një student të sulmojë një mësues, mashkull apo femër, kurrë. Unë predikoj punë të palodhur, disiplinë. Unë jam një atlet, unë predikoj jetesën anti-drogë, unë predikoj fenë, nuk predikoj alkool, nuk predikoj asnjë krim. Unë jam kundër çdo problemi të shoqërisë moderne.

Tate sugjeroi se disa nga komentet e tij ishin nxjerrë jashtë kontekstit ose ishin menduar si “shaka” – duke përfshirë një video në të cilën ai tha se pjesët intime të një gruaje i përkisnin partnerit të saj mashkull.

“Nuk e di nëse e kupton se çfarë është sarkazma. Nuk e di nëse e kupton se çfarë është konteksti. Nuk e di nëse e kupton se çfarë është përmbajtje satirike,”- më tha ai kur u sfidua për komentin.

Përshkrimi i tij nuk përputhet me tonin në një video në internet të parë nga BBC.

Ai gjithashtu mohoi të pranonte manipulimin emocional të grave, pavarësisht komenteve të bëra në një version të mëparshëm të kursit të tij të stërvitjes në internet, Hustlers University.

Një hyrje në atë faqe filloi: Emri im është Andrew Tate… dhe unë jam personi më kompetent në të gjithë planetin për t’ju mësuar mbi ndërveprimet mashkull-femër.

Por faqja është hequr nga rrjeti që atëherë.

Kur u pyet për këtë në intervistë, Tate u përgjigj: Unë kurrë nuk e kam thënë këtë. Unë jam një forcë për të mirën në botë. Ju mund të mos e kuptoni këtë ende, por përfundimisht do ta kuptoni. Dhe sinqerisht besoj se po veproj nën udhëzimet e Zotit për të bërë gjëra të mira dhe dua ta bëj botën një vend më t♪7 mirë.

Gjatë bisedës sonë, e cila zgjati gati dyzet minuta, Tate tregoi disa herë ato dokumentat e mia që ai i quajti “copëzat e vogla të letrës” duke më thënë se “po thoja gjëra marrëzi” dhe duhet “të bëja disa kërkime më shumë”.

Në shenjë të mosbesimit të tij ndaj mediave tradicionale, vizita dhe intervista jonë u filmuan nga ekipi i tij dhe pasi u larguam ai pretendoi se BBC kishte premtuar vetëm se do të bënte “pyetje të dezinfektuara”.

Ndërsa BBC ofroi temat e diskutimit para intervistës për mirësjelljeje, sipas udhëzimeve tona editoriale, ne nuk ramë dakord me pyetjet që do të bënim paraprakisht dhe ishim të qartë se intervista jonë do të ishte një diskutim i gjerë dhe dinamik me pyetje sfiduese. Para se të largoheshim nga ndërtesa, Tate postoi një mesazh në rrjetet sociale duke premtuar se do të publikonte versionin e tij të intervistës, të cilën e bëri pak më vonë.

BBC e ka ndjekur nga afër rastin e tij që nga fundi i vitit të kaluar, kur vëllezërit Tate u vunë në paraburgim, dhe ka folur me dëshmitarët, ish-punonjësit, fqinjët dhe bashkëpunëtorët, si dhe me ata të përfshirë në hetim, për të krijuar një panoramë të saktë lidhur me vëllezërit Tate në Rumani./BBC


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu