Si ky burrë hapi aksidentalisht një website për të punësuar vrasës me pagesë

0

Në tetor 2005, Bob Innes bleu emrin e domain-it të internetit “rentahitman.com”. Ishte epoka e dotcom-it dhe ai ishte një student i një shkolle biznesi në North Carolina dhe po përpiqej të reklamonte shërbimet e analizës së trafikut të faqeve në internet. “Ishte thjesht një lojë fjalësh,” tha për Guardian, kur u kontaktua me email për një intervistë.

Ai nuk e dinte që në vitin 2021, do të përfshihej në qindra çështje ligjore, duke dorëzuar njerëz në polici për faktin që kërkonin vrasës me pagesë. Këtë javë, një grua u shpall fajtore, pasi u përpoq të vriste burrin e saj përmes faqes së internetit të Innes.

Në vitin 2005, duke qenë se biznesi nuk dukej se do të lulëzonte, u largua nga planet për një biznes analizash të trafikut në internet. Ai u diplomua; miqtë e tij që bashkëpunuan me të në faqe gjetën punë me kohë të plotë. Por Bob e mbajti emrin e domain-it me shpresën se dikush mund ta blejë një ditë.

Askush nuk e bleu site-in dhe ai vazhdoi të ekzistonte. Më pas, në vitin 2010, hapi inbox-in nga kurioziteti dhe mbeti i shtangur kur gjeti një klient – ??jo atë llojin që kishte kërkuar. Bob mori një mesazh nga një grua e quajtur Helen. Ajo ishte bllokuar në Kanada, kishte humbur pasaportën dhe donte që tre anëtarë të familjes në Mbretërinë e Bashkuar të vriteshin pasi e kishin hequr nga trashëgimia e të atit. Ai nuk u përgjigj.

Por ajo vazhdoi: dërgoi një email të dytë, i cili përfshinte emra, adresa dhe informacione të tjera. Bob u ndje i detyruar të vepronte. Kështu ai u përgjigj, duke u shtirur se kishte aftësinë për të bërë atë që i kërkohej.

“A keni ende nevojë për ndihmën tonë? Ne mund t’ju vendosim në kontakt me një person në terren,” u përgjigj ai. Brenda pak orësh, Bob kishte emrin ligjor, vendndodhjen dhe numrin e telefonit të një gruaje për të cilin mendonte se mund të dëmtonte njerëzit seriozisht.

“Ndjeva vërtet se jeta e tre njerëzve ishte në rrezik,” tha ai për Guardian. Bob bëri kallëzimin në polici dhe zbuloi nga detektivët se ‘Helen’ kërkohej në Mbretërinë e Bashkuar me urdhër të ekstradimit për “akuza më të rënda”. Pikërisht në këtë moment Bob kuptoi se website i tij prej 9,20 dollarësh kishte më shumë vlerë nga sa mendonte: ai sapo kishte shpëtuar jetën e tre njerëzve.

Pas arrestimit të Helen në vitin 2010, Innes iu kthye një jete relativisht normale. Ai kurrë nuk planifikoi të ishte detektiv apo çfarëdo pune që lidhej me vrasësit online, sepse nuk ishte i stërvitur dhe ishte thjesht një burrë me një website të çuditshëm që ndihmoi për një krim.

Megjithatë nuk e fshiu faqen, por e mbushi me informacione me humor dhe të dhëna për të treguar se nuk ishte i vërtetë. Por gjithsesi, kërkesat vazhduan të vinin, jo vetëm nga ata që kërkonin të dëmtonin të tjerët, por edhe nga ata që kërkonin të dëmtonin veten. “Unë nuk jam këshilltar dhe është e vështirë të gjesh zgjidhjet dhe burimet e duhura për shumë njerëz,” thotë ai.

Bob nuk është aspak i shqetësuar se shumë njerëz do të arrestohen. “Website nuk është një skemë për të mashtruar njerëzit apo për të joshur njerëzit që duan të vrasin të tjerët. Këta njerëz kërkojnë në internet për të kontaktuar një vrasës me pagesë”, thotë ai – duke shtuar se faqja nuk reklamohet askund.

“Për sa kohë që këto emaile vazhdojnë të vijnë, unë do të vazhdoj të veproj,” tha ai. “Deri më tani, gati 150 jetë janë shpëtuar si rezultat i drejtpërdrejtë i website-t dhe veprimeve të mia.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu