Si ndodhi vrasja e shqiptarit në Itali? Konflikti për kontrollin e një rrjeti prostitucioni

0

Detaje të reja dalin në pah nga vrasja e 39-vjeçarit, Shpëtim Frashëri, në Itali, nga katër bashkatdhetar.

Ditën e sotme, Policia e Vlorës ka arrestuar 29-vjeçarin, Hasim Musaraj (Murataj), i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e 39-vjeçarit në bashkëpunim me tre bashkatdhetarë. Ndërsa më parë janë arrestuar dhe dënuar tre autorët e tjerë.

Në qershor të vitit 2020, u dënua me 12 vite burg një nga autorët, Donaldi Rushiti, i njohur me nofkën Doni. Rushiti, menjëherë pasi ka kryer krimin ka ardhur në Shqipëri, por me kombinimin e punës mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, ai u kap në Tiranë, përpara dy vitesh. Pas ekstradimit, shqiptari mori dënimin nga Gjykata e Torinos.

Sipas policisë katër autorët e vrasjes së Frashërit janë: Murataj, Cerciz Banushi, Sabri Brakaj dhe Donaldi Rushiti. Nuk dihet se çfarë arsyeje ka bërë që situata të shkojë deri në vrasje, por dyshohet se gjithçka ndodhi për kontrollin e tregut të prostitucionit në vendin fqinj.

Viktima, sipas hetimeve, drejtuar nga prokurori Vito Sandro Destito, menaxhoi një rrjet të vogël prostitutash në zonën e De Sanctis. Në mbrëmjen e krimit, Frashëri, i shoqëruar nga disa miq që ishin të panjohur, kishte pasur një konflikt me katër të pandehurit në lokalin “Chic”, i cili qëndron hapur 24 orë. Përleshja mes tyre ishte regjistruar nga kamerat në zonë.

Frashëri, i ndjekur në mes të rrugës, ishte goditur nga një e shtënë me pistoletë me kalibër 45. Disa plumba të lëshuar në drejtim të tij, kanë goditur ndërtesa rreth e rrotull zonës. Mbrojtësi i Rushiti, avokati Enrico Calabrese, pohoi se i riu, i pashkolluar, ishte përfshirë në atë mosmarrëveshje të ngatërruar dhe ishte përpjekur të mbrohej.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu