Në tetor, kur vjeshta filloi dhe Rusia intensifikoi bombardimet e saj kundër rrjetit energjetik të Ukrainës, Qeveria në Hungarinë fqinje po mobilizohej kundër një armiku të saj.
Në billborde, fletushka, lajme, Facebook e platforma të tjera digjitale, hungarezët kudo përballeshin me imazhin e një bombe, të mbështjellë me një letër ku shkruante “sanksione”, si dhe me mesazhin “sanksionet nga Brukseli po na shkatërrojnë”.
Prej se Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit, Bashkimi Evropian – pjesë e të cilit është edhe Hungaria – ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj.
Imazhet në Hungari ishin pjesë e një “konsultimi kombëtar”, të financuar nga shteti dhe të porositur nga Qeveria e kryeministrit Viktor Orban.
Qëllimi ishte të bindeshin 10 milionë hungarezë se “bombat nuk vrasin njerëz, sanksionet vrasin njerëz”. Ose, të paktën, ato përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e tyre.
I armatosur me një super-shumicë që i mundësoi partisë së tij qeverisëse, Fidesz, të riformësonte politikën dhe institucionet hungareze që nga viti 2010, Orban kaloi vite duke e mbushur sektorin e transmetuesve publikë me aleatë dhe duke u mundësuar oligarkëve dhe miqve të tij t’i përvetësonin pothuajse të gjitha stacionet kryesore komerciale.
Kritikët thonë se peizazhi mediatik që ka rezultuar, e ka ndihmuar Orbanin t’i portretizojë sanksionet e BE-së si rreziqe kryesore.
Fuqia e zgjedhjeve
Në muajin shkurt, Orban dukej i lëkundur. Zgjedhjet e 3 prillit ishin në prag dhe, për shkak të rritjes së kostos së jetesës, sondazhet sinjalizonin ndryshimin e Qeverisë.
Dhuratat dhe subvencionet e tij tradicionale parazgjedhore po e lodhnin buxhetin dhe, siç dukej, nuk po e mashtronin gati askënd.
Kishte pakënaqësi mes mësuesve, inxhinierëve të trenave, punonjësve të stacioneve të karburantit e të tjerëve.
Lajkat e tij me Moskën dhe Pekinin po e dëmtonin, po ashtu, pozitën e Budapestit mes aleatëve të BE-së dhe NATO-s./REL