Bledar Jambelli allias Rikardo Muho, porositësi i vrasjes së Komisarit Artan Cukut rezulton të jetë një prej të shumëkërkuarve shqiptarë që u pajisën me identitet fals grek, skandal i zbuluar vetëm pak ditë më parë. Mësohet se Jambelli në këmbim të 35 mijë eurove kishte siguruar një identitet të ri, Xristos Xamkidis, që do t’i shmangte edhe ekstradimin në Shqipëri.
Jambelli në prill 2020 është marrë në pyetje nga policia greke ku ka dhënë informacion të vlefshëm lidhur me grupin kriminal të falsifikatorëve.
Ai vetë ka rrëfyer se kishte paguar 35 mijë euro për të ndërruar identitet dhe këtë e kishte bërë me qëllim që të mos ekstradohej në Shqipëri ku kërkohet për vrasjen e Komisarit Artan Cuku. Jambelli ka shtuar se ka qenë dëshira për të qëndruar pranë familjarëve të tij që ndodhen në Greqi ajo që e ka bërë të pajisej me identitet fals.





