“Ngele në derë”. Ky ishte opinioni i një fshati në Lushnje ku Sidorela u rrit i cili e detyroi që të martohej në moshën 23-vjeçare me shkuesi. Nga Lushnja ajo u zhvendos në Durrës ku jeton edhe sot me djalin e saj të cilin e rrit e vetme.
Në historinë që ajo ndan me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, thotë se gjithçka shkonte mirë në fillim, por pas ardhjes së djalit në jetë nuk e kishte ndihmën e bashkëshortit.
Sidorela: Ka 3 vjet që jam vetëm, jam divorcuar. Ka qenë shumë e vështirë, Ardit.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Sidorela: Është shumë e vështirë që një nënë e vetme të rrisë një fëmijë, pa ndihmën e askujt, pa ndihmën e bashkëshortit.
Ardit Gjebrea: Po çfarë ndodhi me të?
Sidorela: S’e di, gjërat u ftohën, filluan zënkat, dhuna, tradhtia nga ana e tij. Kur ra tërmeti iku në Gjermani. Unë kam ndenjur rrugëve me çunin sepse siç e dini edhe ju, tërmeti në Durrës shkatërroi çdo gjë, kemi fjetur jashtë. Por edhe atje nuk është se më ndihmonte me ndonjë gjë, kërkonte ndihmë nga unë. Unë çfarë do bëja me një rrogë 300 mijë Lekë?
Ardit Gjebrea: Ai në Gjermani kërkonte ndihmë nga ty?
Sidorela: Po. Sepse ai nuk punonte, ai punonte thjesht për veten e vet, jo për mua dhe djalin që ne kishim në jetë.
Ardit Gjebrea: Kishte kohë edhe të tradhtonte?
Sidorela: Po. E kam kapur në telefon kur erdhi në Shqipëri, foto.
Ardit Gjebrea: Me kë?
Sidorela: Me atë zonjën që unë nuk dua fare t’i përmend këto gjëra se të vrasin.
Ardit Gjebrea: Qartë. Shqiptare apo gjermane?
Sidorela: Shqiptare. Një shqiptare mbi 40.
Ardit Gjebrea: Ishte ai që e bëri ndarjen apo e bëre ti?
Sidorela: Jo, e kam bërë unë ndarjen sepse erdhi nga Gjermania dhe pastaj filluan zënkat pa pushim. Sa vinim në shtëpi, vetëm sherr.
Ardit Gjebrea: Çfarë bënte?
Sidorela: Ai rrinte, unë punoja. Priste çdo gjë nga mua.
Ardit Gjebrea: Sherret bëheshin në sy të çunit?
Sidorela: Po. Çuni aty ishte.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte çuni?
Sidorela: Çuni ishte i vogël, 3 vjeç.
Ardit Gjebrea: Por kuptonte.
Sidorela: Shumë.
Ardit Gjebrea: Shikonte.
Sidorela: Normale.
Ardit Gjebrea: Reagonte?
Sidorela: Reagonte me raste, por ai e ka dashur shumë babain e vet, ai e do shumë babain e vet pavarësisht se ai pothuajse e ka harruar fare
Ndërkohë prej tij nuk kishte asnjë ndihmë financiare dhe djalin po e rriste e vetme. Gjendja u bë e padurueshme dhe Sidorela vendosi të ndahej. Ndarja ishte e dhunshme dhe bashkëshorti pati kërkesa absurde ndaj saj.
Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ti the “stop, unë do iki?”
Sidorela: Pas 7 vjet vuajtjeje, i thashë stop se nuk po mundja dot më. O do ishte t’i jepja fund jetës time, ose do ndahesha nga ai.
Ardit Gjebrea: Por ka një moment që e mbush kupën, që ndodh një gjë. Ndodhi ndonjë gjë apo jo?
Sidorela: Jo, thjesht jam zënë atë ditë, më ka nxjerrë zvarrë nga shtëpia, mora çunin, më tha “ik, kjo s’është shtëpia jote! Edhe për kaq sa ke ndenjur, dua qira nga ti”. Mora çunin, ika.
Ardit Gjebrea: Duke qenë nëna e djalit?
Sidorela: “Dua qira nga ty” tha sepse kjo nuk është shtëpia jote. Aty i tha djali “mos, mos mamin tim, mos e prek” sepse më ka goditur dhe pastaj mbaroi, mora çunin ika. Nuk mundem më zoti Ardit sepse kjo nuk është se ishte hera e parë. Unë kisha ikur 2-3 herë dhe isha kthyer për hir të familjes time se nuk dua t’i rëndoj mamin e babin tim, ata janë gjëja më e shtrenjtë që kam në jetë./tvklan.al