Bashkia Elbasan informon se, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, të gjitha rrugët në çdo njësi administrative dhe në çdo fshat janë aktualisht të hapura për qarkullim.
Gjatë gjithë ditës, ekipet e ASHP-së dhe strukturat e Emergjencave Civile kanë qenë në terren për të garantuar mbajtjen e akseve rrugore funksionale. Megjithatë, sipas parashikimeve, gjatë natës pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, deri në -6 gradë Celsius, çka sjell rrezik të lartë për ngrica të forta në rrugë.
Gjendja aktuale e akseve rrugore:
- Rruga Elbasan–Labinot Mal kalohet vetëm me përdorimin e zinxhirëve.
- Rruga Elbasan–Funar është e kalueshme pa probleme.
- Rruga Elbasan–Gjinar është e hapur dhe e kalueshme normalisht.
- Rruga Elbasan–Zavalinë kalohet vetëm me zinxhirë.
- Rruga Elbasan–Gracen është e kalueshme pa vështirësi.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të respektojnë udhëzimet e strukturave përkatëse dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në orët e natës, për shkak të pranisë së ngricave.
Bashkia Elbasan mbetet në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë dhe për të qenë në shërbim të komunitetit.





