TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacione lidhur me situatën e zjarreve në vend. Sipas informacioneve gjatë orëve të fundit janë raportuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë shuar dhe 2 janë ende aktive.
Vatrat që janë ende aktive janë një në qarkun e Vlorës dhe një në qarkun e Kukësit. Bëhet me dije se zjarri deri më tani nuk përbën rrezik për zonat e banuara.
NJOFTIMI I PLOTË:
Informacion mbi situatën e zjarreve
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë orëve të fundit janë raportuar 7 vatra zjarri.
Nga këto janë shuar 5 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
1. Në fshatin Ndërfan, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.
2. Në zonën e Astirit, njësia administrative 14, bashkia Tiranë.
3. Në lagjen “Ish-Fidanishtja”, njësia administrative Rajoni 5, bashkia Vlorë.
4. Në fshatin Amonicë, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë.
5. Në fshatin Shijon, njësia administrative Bradashesh, bashkia Elbasan.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
1. Qarku Vlorë
Në bashkinë Himarë, janë fikur vatrat në Porto Palermo dhe në Zonën Qafë Lerë – Llaman, ndërsa vatra në vendin e quajtur Vumlo në afërsi të fshatit Kudhës u izolua fillimisht, por për shkak të intensitetit të erës dhe nxehtësisë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë. Po punohet me mjete rrethanore dhe pompa shpine nga forca të MZSH, Shërbimi Pyjor dhe ndërmarrjes së shërbimeve të bashkisë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
2. Qarku Kukës.
Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, me 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, 1 fadromë, 1 ekskavator, 4 kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë.