Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën përpara anëtarëve të Komisionit për Inceneratorët duke tërhequr vëmendjen kryetares Jorida Taëbaku që të mos fyejë dhe ofendojë dëshmitarët. Rama iu referua termit “aferë” për çështjen e inceneratorëve dhe “grup i strukturuar kriminal”. Rama tha se opinionet duhet të ndahen nga puna e Komisionit.
PJESë NGA FJALA E RAMES:
Betohem se do të them vetëm të vërtetën, asgjë tjetër veç të vërtetës…Zonjë kur kam ardhur në këtë Komision jam njohur me detyrimet e mia dhe tuajat si Komision, si anëtarë dhe si kryetare e Komisionit. Në ligjin për Komisionet Hetimore, Komisioni nuk mund të ngrejë akuza penale dhe të ushtrojë atributet e Gjykatës. Anëtarët e Komisionit nuk mund të fyejnë dhe të prekin dinjitetin e personave që thirren në Komision. Këtë e keni bërë në mënyrë të përsëritur dhe keni përsëritur akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Unë kam ardhur si dëshmitar, ju ftoj të bëni punën tuaj dhe do t’ju sugjeroja të mos eksportoni debatin parlamentar dhe televiziv. Ky Komision është me mbështetjen time të plotë, opozita është lënë e plotë të bëjë ç’të dojë, të thërrasë kë të dojë dhe jam këtu të ndihmoj në zbardhjen e të vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Respektoni ligjin edhe ju. Nëse bëni zgjedhjen e ditëve të tjera, do t’ju përgjigjem. Po kthehem te pyetja juaj. Ju folët për një aferë, unë nuk kam ardhur të zbardh asnjë aferë. Këtu e shprehni në rrjetet tuaja sociale, por këtu nuk mund ta shprehni. Këtu jeni në një Komision dhe keni thirrur një dëshmitar. Opinionet tuaja shprehini në raport, unë këtu nuk kam ardhur për asnjë aferë.