Avokati i Popullit reagon i shqetësuar në lidhje me publikimin e pagave të 630 mijë qytetarëve shqiptarë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale avokati i popullit shkruan se kjo cënon privacinë dhe të drejtat e qytetarëve duke krijuar një potencial të paidentifikuar tensioni dhe prishjeje të harmonisë sociale.
Avokati i Popullit kërkon hetimin e shpejtë dhe tërësor të kësaj ngjarjeje dhe marrjen e masave urgjente.
Reagimi i plotë:
AVOKATI I POPULLIT REAGON MBI PUBLIKIMIN E PAAUTORIZUAR TË TË DHËNAVE SENSITIVE TË QYTETARËVE SHQIPTARË
Avokati i Popullit e konsideron shqetësues faktin e publikimit e paautorizuar të një baze të dhënash në të cilën ekspozohen detaje mbi pagat e punonjësve shqiptarë si dhe informacione të tjera sensitive.
Institucioni i Avokatit të Popullit tërheq vëmendjen për përsëritjen e këtyre publikimeve që cënojnë privacinë dhe të drejtat e qytetarëve duke krijuar një potencial të paidentifikuar tensioni dhe prishjeje të harmonisë sociale.
Cënimi i përsëritur i sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dëshmojnë për nivele me të vërtetë të dyshimta të profesionalizmit dhe seriozitetit nga ana e institucioneve të ngarkuara për ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre të dhënave.
Avokati i Popullit kërkon hetimin e shpejtë dhe tërësor të kësaj ngjarjeje dhe marrjen e masave urgjente për mbylljen përfundimtare të këtij kapitulli të trishtuar i cili minon besueshmërinë e qytetarëve në organet e administratës dhe institucionet e shtetit shqiptar.





