Komisioni i Shëndetësisë ditën e sotme është shoqëruar me debate të ashpra pasi u soll për diskutim skandali tek Onkologjiku.
Ka qenë deputetja e PD, Albana Vokshi e cila është përplasur socialistët pasi deklaroi se në sistem është ndërhyrë për të ndëruar datat e skadencës së ilaçeve të ndryshme.
Ajo tha ndër të tjera se Onkologjiku është vetëm maja e ajsbergut, pasi ka skandale që ende nuk janë bërë publike.
“Onkologjiku është vetëm maja e ajsbergut. Ju mashtroni duke thënë se nuk ka mungesë të jodit, por ka 6 muaj që mungon. Si nuk e pranoni ju këtë? A mendoni për ato nëna që çojnë fëmijët aty dhe nuk kanë barna? A keni të paktën ndërgjegjen e nënës? Ka skandale që akoma nuk kanë dalë. Çfarë bëhet me pacientët që nuk kanë mundësi të bëjnë terapinë përkatëse nga mungesa e jodit? Ministrja duhet të kishte dhënë dorëheqjen, nuk duhet të ishte këtu fare.
Është e patolerueshme që fëmija të ketë nevojë për medikamente për leuçeminë dhe shteti mos ia sigurojë. A ka barbari më të madhe?
Nëse ndërhyni në sistem për të ndërruar datat e skadencës, ky është skandal. Kushdo që e ka urdhëruar këtë, sepse unë kam informacion që këtë e ka bërë ish-drejtoresha Albana Fico, duhet të mbajë përgjegjësi”, theksoi Vokshi.