Pas agresionit rus në Ukrainë, shtohen zërat për njohjen e saj si vend kandidat për në BE. Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy, e kërkoi me ngulm një gjë të tillë të enjten, por nuk mori atë përgjigje që priste.
Ndërsa liderët e BE-së po takoheshin për një samit urgjent të enjten në mbrëmje, më shumë se njëqind figura evropiane politike dhe të shoqërisë civile bashkë-nënshkruan një opinion në “Le Monde”, me anë të të cilin bëjnë thirrje për dërgimin e një “sinjali të fortë” për popullsinë ukrainase, e cila është nën sulmin e Rusisë, por “ka zgjedhur familjen e demokracive evropiane”.
Firmëtarët thonë se arsyeja e sulmit ushtarak rus është fakti se Ukraina po afrohet me Europën, që prej largimit të ish-presidentit Yanukovych.
Në letër theksohet se, në vitin 2017, parlamenti ukrainas miratoi “një ligj që e bën anëtarësimin në BE një nga objektivat strategjikë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Ukrainës”, i cili lejoi që “zgjedhja evropiane” e Ukrainës të përfshihet në kushtetutën e vendit.
Duke e njohur Ukrainën si një “vend kandidat” të BE-së, firmëtarët thonë se shpresojnë që negociatat e anëtarësimit të fillojnë së shpejti dhe “një afat kohor i qartë me objektiva dhe hapa të detajuar drejt integrimit të plotë të Ukrainës në BE” mund të hartohet.
Kjo do të kontribuonte në “stabilitetin ekonomik të vendit” përmes integrimit gradual të tij në tregun e vetëm të BE-së, shkruajnë ata.
Megjithatë, në letër pranohet se kjo do të ishte “një rrugë e gjatë” për vendin, i cili nuk është ende gati për t’u bashkuar me bllokun, por të paktën do të shërbente si një nxitje për reformat e mëtejshme të nevojshme për “konvergjencën me BE”.
Mes firmëtarëve të letrës janë disa eurodeputetë ndërpartiakë nga Parlamenti Evropian, aktivistja ukrainase dhe liderja e lëvizjes Femen, Inna Shevchenko dhe ish-kryeministri i Lituanisë dhe eurodeputeti konservator, Andrius Kubilius.
Liderët e BE-së janë të njëanshëm në mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës. Për më tepër, në rrethanat e krijuara rishtas duket se nuk ka vullnet për angazhime të forta në mënyrë që të mos antagonizohet më tej Rusia.
Ukraina, së bashku me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, janë përpjekur shumë, por pa sukses për të fituar mbështetjen e BE-së për t’u bërë pjesë e bllokut.
Në rrethanat aktuale, kur Rusia po zhvillon një luftë për të rrëzuar liderët e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe për t’i zëvendësuar ata me një qeveri kukull, nisma duket e vonuar dhe e padobishme.