SPAK drejtuar PD-së: Kemi nisur hetimet për çështjen e Teatrit Kombëtar

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për shpërdorim detyre për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në një përgjigje zyrtare përmes një shkrese që i ka nisur Partisë Demokratike, SPAK konfirmon se ka nisur hetimet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës mbi bazën e kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të bërë më 31 dhjetor 2019 dhe 23 janar 2020.

“Gjithashtu ju bëjmë me dije se edhe kallëzimi i bërë nga subjekti politik ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’ protokolluar pranë kësaj Prokurorie më 4.6.2020 është bashkuar me këtë procedim penal. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota e të gjithanshme.

Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informojmë në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me përmbajtjen e akteve hetimore të këtij procedimi penal, do të njiheni në përfundimin e hetimeve paraprake”, thuhet në shkresën e firmosur nga drejtuesi i SPAK Arben Kraja.

Në mënyrë të vazhdueshme Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kërkuar nga SPAK informacione në lidhje me hetimet për çështjen e Teatrit, dhe më në fund kanë marrë edhe përgjigje zyrtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu