SPAK shpall në kërkim mikun e “Reqit të Korçës’, Ervis Kosovën

0

Është shpallur në kërkim nga SPAK Ervis Kosova, si personi i dytë i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me Elton Goskovën (Gani Shehun), me qëllim manipulimin e dëshmitarit të Drejtësisë, Luftar Reçi. Oranews raporton se i riu tashmë është shpallur në kërkim, pasi Policia e Shtetit, nuk ka mundur ta arrestojë në territorin Shqiptar.

Burimet thonë se, Ervis Kosova, prej disa muaj është larguar në drejtim të Kosovës, shtet në të cilin vijon të banojë. Ndërsa hetimi penal dhe mbajtja në mbikqyrje e Ervis Kosovës dhe Elton alias Gentian Goskovës, ka filluar qysh prej muajit qershor të vitit 2021.

Kosova është i riu i cili u kap nga policia në muajin nëntor të 2021 pasi po bënte gara me mjetin “Ford Mustang” e më pas videot i postonte në rrjete sociale. Ai u kap në atë kohë nga policia pasi kishte dërguar mjetin në një servis, vend në të cilin u zbulua.

Prokuroria e Posaçme SPAK, ka administruar një sërë prova si përgjime dhe fotografim të takimeve, që dy personat e proceduar kanë kryer me individë të ndryshëm të familjes Reçi, me qëllim manipulimin e dëshmitarit të SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar për dy ngjarje shumë të rënda, ku në muajin Shkurt 2005 në Tiranë u vranë Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe në Durrës u ekzekutua, Klodian Saliu.

Ndërkohë ditën e sotme, Gjykata e Posaçme, ka vendosur të lerë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në Burg”, për Elton alias Gentian Goskovën, i arrestuar me urdhër të prokurorit, Altin Dumani. Vendimi për mbylljen në burg të Goskovës ose siç njihet ndryshe me nofkën “Reqi i Korçës”, është marë paraditen e sotme nga gjyqtari, Erjon Bani.