Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se zbarkimi i sotshëm i SPAK në zyrën e Pecit, ka ardhur pas denoncimeve në lidhje me fondet shtetërorë dhe dhënien e tenderave.
TEPELENË- Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbarkuar në Bashkinë e Tepelenës, ku po verifikohen një sërë dosjesh të lidhura me tendera publikë. Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se zbarkimi i sotshëm i SPAK në zyrën e Tërmet Peçit, ka ardhur pas denoncimeve në lidhje me fondet shtetërorë dhe dhënien e tenderave.
Pjesë e kontrollit i BKH-së kanë qenë zyra e Financës, zyra juridike e Bashkisë dhe zyra e kryebashkiakut Peçi. Dosja.al, mëson se hetimi ndaj Pecit po kryesohet nga prokurori Bledar Maksuti. SPAK dyshon për afera korruptive që përfshijnë favorizime të operatorëve dhe abuzim me fondet shtetërore.
Nisja e hetimeve erdhi pas një denoncimi të bërë publik nga emisioni investigativ “Plug”. Në emisionin investigativ u paraqitën fakte, kontrata dhe dokumente zyrtare që ngjallin dyshime të forta mbi rregullsinë e procedurave të ndjekura nga kryetari i kësaj bashkie, Tërmet Peçi në dhënien e tenderave. Peçi akuzohet se bashkë me drejtorin e tij në Bashki, shtetasin Lorenc Bami kanë krijuar një skemë të mirëfilltë korruptive për të përfituar 18 milionë euro të ardhura.
Në emisionin Plug u zbulua se drejtori i Bashkisë së Tepelenës, Lorenc Bami në vitin 2017 në emër të bashkëshortes Aleksandra Bami dhe në bashkëpunim me shtetasin Hekuran Hoxha, themeluan kompaninë “NG STRUCTURES shpk” për të përfituar tendera publikë nga kjo bashki. Kjo kompani ka marrë 18 milionë euro tendera nga bashkia e Tepelenës dhe Gjirokastrës dhe 66 milion euro tendera në total nga institucionet publike, ku spikasin ato të rindërtimit.
Jo vetëm kaq, por në emision u zbulua se si motra e Tërmet Peçit, Manjola Haska, është shndërruar në investitore dhe përfituese e fondeve të AZHBR, pasi i vëllai i ka dhuruar mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin. Me këtë dhurim, ajo ka ndërtuar një agroturizëm dhe ka përfituar një fond në vlerën 220.000 euro nga fondet e IPARD.