Spanja nis hetimet ndaj kompanisë META, si u spiunuan miliona përdorues të Android-it

0

Një sistem spiun i fshehtë që gjurmonte aktivitetin online të përdoruesve të pajisjeve Android dyshohet se është zhvilluar nga Meta, kompania që zotëron tri rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe WhatsApp, duke rrezikuar privatësinë e miliona konsumatorëve gjatë vitit të fundit.

La Repubblica shkruan se Spanja ka nisur një hetim mbi këtë shkelje të mundshme nga ana e kompanisë amerikane, e cila do të duhet të japë llogari para Komisionit për Çështjet Ekonomike dhe Transformimin Digjital të Kongresit të Deputetëve. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez.

Nisma vjen pas një hetimi të kryer nga disa qendra ndërkombëtare kërkimore, përfshirë Imdea Networks në Spanjë, Universitetin Katolik të Lovanios në Belgjikë dhe Universitetin Radboud në Holandë. Hetimi zbuloi se kompania kishte përdorur për gati një vit një mekanizëm të fshehur që lejonte gjurmimin e aktivitetit në internet të përdoruesve Android. Ky “spiunazh i heshtur” përfshinte mbledhjen e të dhënave mbi faqet e vizituara dhe lidhjen e tyre me identitetin e përdoruesve në aplikacionet Facebook dhe Instagram, madje edhe kur ata përdornin modalitetin “incognito” ose një “VPN”.

Kjo praktikë mund të ketë shkelur disa rregullore evropiane për sigurinë dhe privatësinë, përfshirë Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), Direktivën e Privatësisë, Aktin për Tregjet Digjitale dhe Aktin për Shërbimet Digjitale.

“Në Spanjë, ligji është mbi çdo algoritëm apo platformë të madhe teknologjike. Kushdo që shkel të drejtat tona do të përballet me pasojat,” deklaroi Sánchez gjatë fjalimit të tij në eventin e titulluar “MetaFuturo”, ku njoftoi edhe një paketë masash për mbrojtjen e hapësirës digjitale.

Kjo paketë përfshin luftën kundër fushatave të dezinformimit, mbrojtjen e të miturve, luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe polarizimit social, si dhe mbrojtjen e privatësisë.

Paketa pasqyron edhe deklaratat e Sánchez-it në samitin e fundit të Davosit, ku ai paralajmëroi për përqendrimin e pushtetit dhe pasurisë në duart e tekno-miliarderëve, “me koston e kohezionit social, shëndetit tonë mendor dhe demokracive tona”.