GAZA- Një video e marrë në një spital të braktisur të Gazës tregon trupat e dekompozuar të foshnjave që kanë mbetur pas gjatë evakuimeve. Njësia e kujdesit intensiv pediatrik në spitalin e fëmijëve al Nasr u evakuua rreth 10 nëntorit, ndërsa ushtria izraelite vazhdoi pushtimin e saj tokësor në veri të Gazës dhe u bëri thirrje njerëzve të largoheshin nga zona. Gjatë armëpushimit njëjavor, Mohammed Baalousha, një gazetar i kanalit televiziv të Emirateve Al Mashhad, hyri në ndërtesën ku gjeti trupat e disa foshnjave që janë lënë në shtretërit e tyre, ndërsa të tjerët shpëtuan.
Të filmuara rreth dy javë pasi spitali u zbraz, pamjet nga kanali tregonin të paktën tre nga pesë foshnjat e vdekura, sipas faqes partnere amerikane të Sky News, NBC. Trupat e tyre ishin duke u prishur, duke përfshirë një që kishte insekte që dukej se zvarriteshin mbi gjoksin e tij. Të gjithë ishin pranë kateterëve dhe ventilatorëve dhe një foshnjë dukej se ishte ende e lidhur me një makinë që mat nivelet e oksigjenit në gjak, me depozita të gazit aty pranë. Fazat e avancuara të dekompozimit të foshnjave janë në përputhje me afatin kohor ndërmjet braktisjes së tyre dhe datës së xhiruar të videos, thanë për NBC dy patologë të pavarur mjeko-ligjorë. Dr Mustafa al Kahlot, drejtor i spitalit, tha se stafi arriti në përfundimin se ata nuk mund të evakuonin në mënyrë të sigurtë pesë foshnja, disa prej të cilave ishin të parakohshme dhe me makineri oksigjeni kur tanket izraelite rrethuan objektin.
“Evakuimi ynë nga spitali al Nasr ishte shumë i vështirë dhe nën zjarr. Fëmijët nuk mund të barten me dorë ose të evakuohen pa pajisje oksigjeni,” tha ai për NBC.
Në pamjet e marra para evakuimit, Dr al Kahlot shihet në të njëjtën dhomë spitali, duke paralajmëruar se ndërtesa ishte objektiv i bombardimeve dhe se një fëmijë kishte vdekur tashmë për shkak të mungesës së oksigjenit. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) tha se nuk ishte i përfshirë në asnjë operacion evakuimi, pavarësisht se mori disa kërkesa për ndihmë nga spitalet në Gazën veriore.
“Pamjet që qarkullojnë të foshnjave të porsalindura të vdekura përfaqësojnë një tragjedi të patregueshme, një realitet të papranueshëm se si civilët, duke përfshirë foshnjat dhe fëmijët, paguajnë çmimin në konflikt,” tha KNKK në një deklaratë.
Në përgjigje të pretendimeve, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se nuk operoi brenda spitalit al Nasr dhe se këto pretendime nuk janë vetëm të rreme, por edhe një shfrytëzim pervers i jetëve të pafajshme, të përdorura si mjete për të përhapur dezinformata të rrezikshme.