Deputeti i Partisë Demokratike dhe mbështetësi i “Foltores” Oerd Bylykbashi premtoi se Kuvendi i 11 dhjetorit do të sjellë ndryshime thelbësore në statutin, organizimin dhe funksionimin e partisë. Në studion e emisionit “Task Force” në “Syri.net”, Bylykbashi theksoi se do të ketë më tepër referendume brenda partisë, ndërsa do të futen primaret (zgjedhjet me votë të kandidatëve).
Ndër të tjera, deputeti demokrat shtoi se statuti i ri që do të miratohet nga Kuvendi i 11 dhjetorit do të hiqen kompetencat e kryetarit për emërimin e organeve ekzekutive të partisë, teksa më tepër kompetenca do t’i kalojnë organeve kolegjiale: Kuvend, Këshill Kombëtar dhe Kryesi.
“Zoti Basha i ktheu organet kolegjiale që janë mbi të, më tepër si evente se sa organe efikase dhe vendimmarrëse. Ne do të kthejmë që më shumë se sa zgjedhja e organeve me organe ex officio, për shkak të një detyrë tjetër je edhe diku tjetër, do t’i kthejmë në organe që zgjidhen nga vota e partisë, nga vota e kuvendeve të degës, të cilët do të caktojnë se kush janë përfaqëesit më lart. Ne do të vendosim instrumentin e referendumit. Do të ketë gjithmonë e më shumë referendume në parti për çështje të rëndësishme. Do të futen votimet primare, kandidaturat do të zgjidhen nga votat e anëtarësisë. Zgjedhjet në seksione, grupseksione, për kryetarin e degës, do të zgjidhen me një anëtar, një votë. Pra, fuqizimi i anëtarësisë në përzgjedhjen e funksioneve politike të deleguara, fuqizimi i organeve kolegjiale, pra do t’i hiqen kompetencat ekzekutivit sidomos atij monokratik, do t’i dërgohen gjithmonë e më shumë kompetencat vendimmarrëse organeve kolegjiale, Kuvend, Këshill Kombëtar, Kryesi. Dhe sigurisht do të përpiqemi që në të gjithë këtë të kemi harmonizim dhe ndarje të qartë pushtetesh“, deklaroi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.