Studentët “pushtojnë” Beogradin, mijëra të rinj protestojnë kundër qeverisë së presidentit Vuçiç

0

Mijëra studentë serbë mbërritën në orët e vona të së premtes në Beograd, pas një rruge të gjatë nga rajone të ndryshme të vendit. Ata morën mbështetje nga shumë qytetarë të tjerë, ndërsa pritet të jetë një marshim i përmasave të mëdha.

Ministria e Brendshme e Serbisë bëri thirrje për një protestë paqësore. “Në pikun e organizimit, në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe ata që i kanë mirëpritur në Beograd ka qenë rreth 31,000, sipas vlerësimeve të policisë,” tha Ministria.

Zyrtarisht, tubimi do të nisë në orën 16:00, ndërsa një orë më vonë, studentët pritet të shprehin kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

Prej katër muajsh, studentët po protestojnë dhe kanë bllokuar rreth 60 fakultete anembanë Serbisë. Kërkesa e tyre kryesore është përgjegjësia politike dhe penale për vdekjen e 15 personave nga rrëzimi i një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Qeveria e Serbisë i përshkruan këto protesta si një “revolucion me ngjyra”, që ka si qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit. Nga ana tjetër, ka studentë që kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve. Që nga 6 marsi, të vetëquajturit “studentë që duan të mësojnë” janë vendosur para Presidencës së Serbisë, ku kanë ngritur një kamp. Ata kanë kërkesa të tjera, por asnjëra prej tyre nuk lidhet me incidentin e Novi Sadit.