Suarez lavdëron Messin: Nuk lodhesh kurrë duke treguar se je më i miri në botë

0

Luis Suarez e ka lavdëruar më të mirin në botë, Lionel Messi pasi që ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona e ndihmoi Argjentinën për tu kualifikuar në finale të Kupës së Botës në Katar.

Messi e zhbllokoi rezultatin nga penalltia në minutën e 34’, dhe asistoi te goli i dytë i Julian Alvarez në minutën e 69’, për të vulosur një fitore bindëse 3:0 kundër Kroacisë mbrëmë, raporton KosovaPress.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë tani e ka një mundësi të artë për titullin e tij të parë të Kupës së Botës, dhe të parin për Argjentinën që kur Diego Maradona i udhëhoqi drejt triumfit në vitin 1986, kurse Messi ishte në finale të Kupës së Botës 2014, në të cilën Argjentina ishte mposhtur nga Gjermania me shifrat 1:0.

“Ti nuk lodhesh kurrë duke treguar se je më i miri në botë”, shkroi në “Instagram” Suarez, i cili kishte kaluar gjashtë vite me Messin te Barcelona nga viti 2014 deri te viti 2020.

“E gjithë bota ndalon për të duartrokitur këtë djalë dhe atë që i ka dhënë futbollit. E pabesueshme miku im”, shkruante më tej Suarez.

Argjentina do ta luajë finalen e Kupës së Botës të dielën kundër fituesit të ndeshjes së sotme mes kampionit aktual, Francës dhe Kombëtares së Marokut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu