Ish-studente modele, notare e nivelit të lartë, ministre e Financave dhe tashmë lidere e socialdemokratëve, Magdalena Andersson do të jetë gjithashtu gruaja e parë që drejton një ekzekutiv në Suedi.
Suedia është e vetmja nga vendet nordike që nuk ka pasur ende një kryeministre, pavarësisht faktit se barazia gjinore ka qenë një realitet i konsoliduar prej kohësh, shkruan Reuters.
“Pranova të bëhem kryetare e partisë, sepse e di që Suedia mund të bëjë më mirë dhe e di që jemi ne, socialdemokratët, që duhet ta çojmë Suedinë përpara”, theksoi Andersson.
Ndër përparësitë e saj do të jenë klima, rimëkëmbja e demokracisë, kontrolli i sistemit shkollor dhe shëndetësor, si edhe lufta kundër segregacionit dhe bandave të dhunshme që qeveria e Stefan Löfven në dorëheqje nuk ka arritur deri tani t’i kundërshtojë.