Tiranë, 27 shkurt 2025
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka akuzuar qeverinë për shpërdorim të pushtetit, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta në lidhje me tenderët dhe koncesionet. Sula theksoi se situata ka arritur një pikë kaq të keqe, saqë qeveria është bërë objekt talljeje dhe meme-esh.
Ai citoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili kishte thënë se kushdo që është akuzuar nga drejtësia do të vijë te Grupi Parlamentar i PS-së. Sula ngriti pyetjen se pse nuk janë thirrur në dëgjesë ish-ministrat Ahmetaj dhe Beqaj.
“Rama tha se kush është akuzuar nga drejtësia do vijë këtu te Grupi Parlamentar i PS-së. Kur kishit dëgjesa, pse nuk morët Ahmetajn dhe Beqajn në dëgjesë ju? E keni ju në burg deputetët apo i kemi ne?”, tha Sula.
Ai gjithashtu iu drejtua deputetëve të PS-së duke i pyetur se kush është përgjegjës për tenderët dhe koncesionet, duke theksuar se gjendja ka shkuar aq keq saqë kanë filluar të bëhen meme.
“Ka shkuar gjendja aq keq sa jeni bërë meme. Çfarë nuk kemi parë. Një kryetar bashkie me brekë të grisura,” shtoi ai, duke u ndërprerë nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, për fjalorin e tij.